Shpërthim i fuqishëm në Tiranë, digjet një automjet
Dyshohet se shpërtheu impianti i gazit të makinës
Një shpërthim i fuqishëm ka alarmuar mbrëmjen e së martës banorët e zonës së Laprakës, në Tiranë, pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku një automjet është përfshirë nga flakët.
Sipas pamjeve të siguruara nga vendngjarja, mjeti është djegur pothuajse tërësisht, ndërsa ekipet e zjarrfikëses kanë mbërritur menjëherë për të neutralizuar flakët dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit.
Banorët e zonës kanë deklaruar se fillimisht dëgjuan një shpërthim shumë të fortë, i cili, sipas tyre, ishte aq i fuqishëm sa shkaktoi lëkundje të dritareve të pallateve përreth. Zhurma, sipas dëshmive, është dëgjuar edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Nga informacionet paraprake dyshohet se shpërthimi mund të ketë ardhur si pasojë e impiantit të gazit të automjetit, por ky mbetet vetëm një dyshim fillestar dhe nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga autoritetet.
Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar.
Policia dhe shërbimet zjarrfikëse kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet një njoftim zyrtar që do të sqarojë shkakun e shpërthimit dhe dëmet e shkaktuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



