E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shpëtoi 24-vjeçaren e marrë peng, Hita promovon efektivin e policisë
Lajme

Shpëtoi 24-vjeçaren e marrë peng, Hita promovon efektivin e policisë

Mariglen Koroveshaj merr gradën Kryekomisar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka promovuar me gradën “Kryekomisar” ish-shefin e Stacionit të Policisë Roskovec, Mariglen Koroveshaj, për rolin e tij në shpëtimin e 24-vjeçares Rozalinda Plaku, e cila u mor peng nga ish-partneri i saj pasi ai kishte vrarë prindërit e saj.

Gjatë një takimi me drejtues dhe punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Hita vlerësoi profesionalizmin dhe kurajën e Koroveshajt gjatë një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të muajve të fundit.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 24 korrik në fshatin Vidhishtë të Roskovecit. Sipas të dhënave të bëra publike, 35-vjeçari Refit Buzi qëlloi për vdekje me armë zjarri prindërit e ish-partneres së tij, Kosta dhe Belere Plaku.

Pas krimit, Buzi mori peng 24-vjeçaren Rozalinda Plaku dhe u largua me automjet. Situata vijoi për rreth dy orë, gjatë të cilave efektivi Mariglen Koroveshaj zhvilloi negociata me autorin për ta bindur të lironte të renë.

Pas negociatave, Koroveshaj arriti të sigurojë lirimin e 24-vjeçares, ndërsa pak kohë më vonë Refit Buzi i dha fund jetës.

Duke shpjeguar vendimin për promovimin e efektivit, Skënder Hita tha se Koroveshaj kishte vepruar me profesionalizëm dhe vendosmëri në një situatë jashtëzakonisht të vështirë.

“E mora këtë vendim pa asnjë hezitim, sepse edhe Marigleni veproi pa hezitim për t’i shpëtuar jetën një vajze, e cila u mor peng nga ish-i dashuri i saj, pasi ai kishte vrarë më parë prindërit e saj. Në një prej situatave më të vështira me të cilat mund të përballet një punonjës policie, ai tregoi profesionalizëm, kurajë dhe përgjegjësi të lartë”, u shpreh Hita.

Ai shtoi se Koroveshaj zgjodhi komunikimin dhe negocimin për të menaxhuar situatën dhe për të krijuar kontakt me autorin, duke arritur në fund të sigurojë shpëtimin e vajzës.

Pas promovimit, Mariglen Koroveshaj do të marrë një detyrë të re në strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Hita vlerëson edhe efektivët për dy raste vrasjesh

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi edhe punën e efektivëve që morën pjesë në operacionet për kapjen e autorëve të dy ngjarjeve të tjera të rënda kriminale.

Një prej tyre lidhet me vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, ku autori u arrestua teksa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Hita përmendi gjithashtu operacionin për arrestimin e autorit të dyshuar për vrasjen e një gruaje dhe plagosjen e bashkëshortit të saj në Lushnjë.

Sipas tij, në të dyja rastet rezultatet erdhën falë koordinimit mes strukturave dhe punës së përbashkët të punonjësve të Policisë, me një rol të veçantë të efektivëve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

“Në të dyja rastet, rezultati ishte produkt i punës në grup, i koordinimit dhe i profesionalizmit të punonjësve të Policisë, veçanërisht të efektivëve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Këto reagime le të shërbejnë si model për mënyrën se si duhet të veprojnë çdo ditë punonjësit e Policisë, të cilët duhet të jenë gjithmonë aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ta”, deklaroi Hita.

Në përfundim, ai theksoi se do të vlerësojë punonjësit që tejkalojnë detyrimet e tyre për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Në shenjë vlerësimi për punën e kryer, me propozim të Drejtorit Vendor të Policisë Fier, efektivët e angazhuar në këto operacione do të shpërblehen me nga një pagë mujore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.