“Shpirt të du”, zbardhen biseda të tjera të Vlora Hysenit dhe Agasit
“Krejt radarët e shtetit i fik për ty”
Detaje të tjera nga dosja hetimore e SPAK nxjerrin në pah komunikimet mes ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi. Në disa prej mesazheve të administruara nga hetuesit, Hyseni e paralajmëron Agasin të mos përdorë një numër tjetër telefoni, ndërsa i thotë se telefoni mund të ishte nën përgjim.
Komunikimet mes dy personave janë bërë pjesë e materialeve të hetimit dhe, sipas dosjes, datojnë në periudhën përpara arrestimit të Agasit.
Në një prej mesazheve, Hyseni e paralajmëron biznesmenin që të mos përdorë një numër tjetër telefoni, duke i dhënë të kuptojë se komunikimet përmes tij mund të monitoroheshin.
“Shpirt mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Flej rehat. Të du!”, i shkruan Hyseni Agasit, sipas materialeve të bëra publike.
Komunikimi vijon me një pyetje nga ana e Agasit, i cili interesohet nëse ekziston ndonjë rrezik për persona që ai i referohet si “djemtë e mi”.
“Shpirt, a ka naj rrezik për djemtë e mi sonte?”, shkruan Agasi.
Përgjigjja e Hysenit, sipas dosjes, është: “Flej rehat zemër, krejt radarët e shtetit i mbyll për ty.”
Pikërisht këto komunikime janë një nga elementët që hetuesit kanë administruar gjatë verifikimit të marrëdhënieve mes ish-drejtueses së SHISH dhe biznesmenit.
Hyseni ishte marrë në pyetje nga SPAK
Vetëm katër ditë përpara komunikimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, Vlora Hyseni ishte marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme, në cilësinë e personit që kishte dijeni për çështjen.
Gjatë marrjes në pyetje, Hyseni kishte pranuar se kishte pasur kontakte me Ergys Agasin, duke i lidhur ato me funksionin që mbante në atë kohë dhe detyrat e saj institucionale.
Megjithatë, sipas materialeve të hetimit, komunikimet e administruara nga celularët e dy personave paraqesin një marrëdhënie dhe mënyrë komunikimi që hetuesit po e analizojnë përtej kontaktit të lidhur vetëm me detyrën.
Dokumentet sekrete dhe kontrollet në “Equos Resort”
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes lidhet me kontrollet e zhvilluara më 22 korrik në ambientet e “Equos Resort”.
Sipas materialeve të hetimit, gjatë kontrollit SPAK gjeti 9 faqe dokumentesh të dyshuara se përmbanin të dhëna sekrete shtetërore, ndërsa në pajisjet e sekuestruara u gjetën edhe qindra komunikime mes Hysenit dhe Agasit.
Në kuadër të hetimit është administruar edhe deklarimi i Ergys Agasit, i cili, sipas materialeve të bëra publike, ka pranuar se dokumentet i kishte lënë në automjet me qëllim që ato të gjendeshin nga hetuesit.
Komunikimet e zbuluara në telefonat e Agasit dhe Hysenit, që shtrihen nga fundi i qershorit deri më 26 gusht, datë kur biznesmeni u arrestua në Durrës, janë tashmë pjesë e dosjes që po shqyrtohet nga organet e drejtësisë.
Përmbajtja e tyre është duke u analizuar nga hetuesit në funksion të përcaktimit të natyrës së marrëdhënies mes dy personave, si dhe të rolit që secili prej tyre dyshohet se ka pasur në veprimet që janë objekt i hetimit.
Të gjitha këto të dhëna janë pjesë e materialeve hetimore dhe pretendimeve të ngritura në kuadër të procedimit penal, ndërsa përgjegjësia penale e personave të përfshirë përcaktohet vetëm me vendim përfundimtar të gjykatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



