E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria dhe Kosova mbetet jashtë hartës së gazit në Ballkan
Bota

Shqipëria dhe Kosova mbetet jashtë hartës së gazit në Ballkan

Serbia dhe Maqedonia e Veriut futen në Korridorin Vertikal

Një nga projektet strategjike të energjisë në Ballkan po merr një tjetër drejtim, duke zgjeruar rrjetin e gazit drejt Europës Qendrore. Por ndërsa Serbia dhe Maqedonia e Veriut po pozicionohen në aksin e ri energjetik, Shqipëria dhe Kosova mbeten jashtë kësaj harte.

Përfaqësuesit e operatorëve të sistemeve të gazit pritet të nënshkruajnë në Selanik Memorandumin e Bashkëpunimit për përfshirjen e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në Korridorin Vertikal të Gazit, duke i dhënë projektit një shtrirje të re drejt veriut të Ballkanit.

Korridori ekzistues lidh Greqinë me Bullgarinë, Rumaninë, Moldavinë dhe Ukrainën. Me zgjerimin e ri, krijohet një degë që nis në Greqi, kalon përmes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe, në një fazë të mëvonshme, synon të lidhet me tregjet e Hungarisë dhe Austrisë.

Nga Greqia drejt Europës Qendrore

Një prej nyjeve kryesore të këtij projekti është interkoneksioni mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Lidhja është aktualisht në ndërtim dhe objektivi është që të nisë operimin tregtar deri në fund të vitit 2027.

Hapi pasues është gazsjellësi Maqedoni e Veriut–Serbi, i cili parashikohet të përfundojë gjatë vitit 2028. Nëse afatet realizohen, Shkupi do të kalojë nga një treg në fund të rrjetit në një pikë të rëndësishme tranziti për furnizimin e vendeve në veri.

Kapaciteti i planifikuar i lidhjes së re vlerësohet në 3 deri në 6 miliardë metër kub gaz në vit, duke i dhënë projektit një peshë të konsiderueshme në arkitekturën energjetike rajonale.

Aleksandrupoli, porta e re e furnizimit

Në qendër të këtij konfigurimi ndodhet edhe terminali lundrues LNG në Aleksandrupoli, i cili synon të shërbejë si një pikë hyrëse për gazin e lëngshëm drejt tregjeve të Ballkanit dhe Europës Qendrore.

Pjesa më e madhe e furnizimit mund të vijë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa një tjetër burim është gazi azer që mbërrin në Greqi përmes gazsjellësit TAP.

Maqedonia e Veriut ka rezervuar tashmë katër slote në terminalin e Aleksandrupolit, ndërsa kompania serbe Srbijagas ka siguruar kapacitet rreth 300 milionë metër kub në vit për një periudhë dhjetëvjeçare.

Për Serbinë, kjo lidhje krijon një alternativë të re furnizimi nga jugu dhe potencialisht i hap rrugë reduktimit të varësisë së saj nga gazi rus.

Shqipëria jashtë zgjerimit

Në këtë panoramë të re energjetike, Shqipëria nuk është pjesë e zgjerimit të Korridorit Vertikal.

Ndërsa Greqia po forcon pozicionin si një prej portave kryesore energjetike të rajonit, Serbia dhe Maqedonia e Veriut po fitojnë akses në një rrjet që synon të shtrihet drejt Europës Qendrore.

Shqipëria, megjithatë, mbetet jashtë këtij aksi të ri, pavarësisht pozicionit të saj gjeografik dhe rolit që TAP-i ka luajtur tashmë në transportin e gazit azer drejt Europës.

Edhe Kosova nuk përfshihet në zgjerimin e ri, duke bërë që një pjesë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor të mos jetë pjesë e këtij korridori të ri të furnizimit.

Zhvillimi vjen në një periudhë kur vendet e rajonit po kërkojnë alternativa të reja për furnizimin energjetik dhe po përpiqen të ulin varësinë nga burimet ruse.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen se ku pozicionohet Shqipëria në hartën e ardhshme energjetike të Ballkanit dhe nëse vendi do të mbetet thjesht një territor tranziti për gazin që shkon drejt Europës, apo do të arrijë të shndërrohet edhe në një nyje aktive të tregut rajonal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.