Shqipëria, kamp pritjeje apo shtet sovran?
Jona Maksutaj
Kush vendos për fatin e një kombi, kur vendimet merren në heshtje?
Shqipëria po përgatitet të ngrejë 20 qendra të reja për emigrantët nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza.
Jo një qendër, jo dy. Njëzet.
Një shifër që nuk mund të quhet as “strehim humanitar”, as “nevojë emergjente”. Është projekt transformues për territorin, identitetin dhe të ardhmen e vendit. Dhe pikërisht për këtë arsye, vendimet po merren pa transparencë, pa referendum dhe pa një debat publik real.
A nuk ishte Shqipëria vend i vogël, me popullsi në rënie, me qytetarë që ikin me charter drejt Gjermanisë sepse këtu mungon punësimi, shëndetësia, siguria dhe shpresa?
Tani qeveria po krijon një invertim absurd të realitetit: shqiptarët ikin, të huajt strehohen.
Një vend që zbrazet nga shqiptatët dhe mbushet me emigrantë
Në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë do të shtrihet infrastruktura e re. Fshatra si Floq, Lozhan, Zaroshkë, stadiume, konvikte, shkolla e deri Pallati i Sportit “Flamurtari”, pritet të kthehen në qendra akomodimi. Kapacitete? 100-410 persona secila. Totali? Mijëra.
A e kuptojmë çfarë do të thotë kjo për ekonominë lokale?
Për sigurinë publike?
Për demografinë?
Për kulturën?
Për rendin dhe autoritetin e shtetit?
Shqipëria nuk ka zgjidhur ende strehimin për qytetarët e vet të prekur nga tërmeti, shtëpitë sociale janë të pamjaftueshme, spitalet pa mjekë, e megjithatë gati 20 struktura po i dedikohen migrantëve tranzitorë, pa u pyetur askush.
“Humanizëm”? Jo, politikë e gatuar diku tjetër
Pak kush e thotë hapur: pritja masive e azilantëve nuk është projekt social, është projekt gjeopolitik.
Në një Europë që nuk i do më kampet në territorin e vet, Shqipëria po bëhet gardh periferik, buffer zone. Ne jemi periferia e qetë, vendi që nuk proteston, vendi që pranon.
Emigracioni nuk është problem vetëm i njerëzve që vijnë – është problem i shtetit që nuk mendon për ata që janë këtu.
Dhe pyetja e madhe mbetet:
Cili është marreveshja? Çfarë merr Shqipëria në këmbim? Kush fiton politikisht? Kush fiton financiarisht?
Historia na ka mësuar se vendimet pa popull sjellin pasoja me popull
Kujtoni 1999. Kosova gjeti strehë. Dhe Shqipëria i hapi dyert si komb vëllazëror, sepse ishte detyrë morale dhe historike.
Por sot? Të strehosh mijëra migrantë që nuk kanë lidhje me vendin dhe që përdorin territorin tonë si koridor të përkohshëm – a nuk është kjo ndryshimi i rolit tonë kombëtar?
Shqipëria nuk është kamp.
Shqipëria nuk është transit.
Shqipëria nuk është tokë tenderash humanitarë.
Nëse sot pranojmë 20 qendra, nesër mund të jenë 50. Dhe kur numrat rriten, vendimet e sotme kthehen në struktura të përhershme.
Ky vend i takon shqiptarëve – dhe vendimet duhet t’i marrë Shqipëria
Nuk është çështje nacionalizmi, por mbijetese demografike.
Nuk është kundër emigrantëve, por pro shtetit që mbron interesin e vet.
Humanizmi nuk matet me numra shtretërish – matet me dinjitet.
Para se qeveria të ndërtojë 20 qendra për të huajt, le të ndërtojë 20 arsye që rinia të mos iki.
Shqipëria ka nevojë për shkolla që nuk rrënohen, spitale me mjekë, ekonomi me paga dinjitoze. Ka nevojë për politika për shqiptarët – jo administrim të krizave të huaja.
Sepse një ditë, kur të hapë sytë kombi, mund të kuptojë se është bërë mikpritës në shtëpinë e vet… por më i varfër, më pak i sigurt dhe më pak sovran.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



