E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria me rrjetin rrugor dhe hekurudhor më të dobët në Ballkan
Lajme

Shqipëria me rrjetin rrugor dhe hekurudhor më të dobët në Ballkan

Shqipëria ka dendësinë më të ulët të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor dhe është i vetmi vend i rajonit ku dendësia e rrjetit rrugor ka rënë gjatë dekadës së fundit. Edhe rrjeti hekurudhor është tkurrur, me rënien më të fortë në rajon, mbi 28% krahasuar me periudhën 2014-2016, sipas raportit të OECD-së Raporti i Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor 2026.

Në infrastrukturën rrugore, Shqipëria regjistron vetëm 13 kilometra rrugë për 100 km² territor, niveli më i ulët ndër gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Në skajin tjetër qëndron Mali i Zi me 74 km rrugë për 100 km². OECD vëren se dendësia rrugore ka mbetur përgjithësisht e pandryshuar në pjesën tjetër të rajonit, ndërsa Shqipëria është e vetmja ekonomi që ka shënuar rënie gjatë periudhës së analizuar.

Situata është edhe më e dobët në hekurudha. Shqipëria ka vetëm 0.9 km linjë hekurudhore për 100 km², përsëri niveli më i ulët në rajon. Për krahasim, Serbia, që kryeson Ballkanin Perëndimor, arrin në 4 km për 100 km². OECD llogarit se dendësia e rrjetit hekurudhor shqiptar është zvogëluar me mbi 28% që nga 2014-2016, rënia më e fortë ndër vendet e rajonit.

Dobësia e hekurudhës nuk kufizohet vetëm te gjatësia e rrjetit. OECD e rendit Shqipërinë, së bashku me Kosovën, ndër ekonomitë ku transporti hekurudhor i mallrave mbetet margjinal, me volume të papërfillshme. Kjo e lë pjesën më të madhe të transportit të mallrave të varur nga rrjeti rrugor dhe kufizon përdorimin e një alternative që në vendet e BE-së luan rol më të madh në tregti dhe logjistikë.

 

 

Hekurudha2

Të dy treguesit ndihmojnë të shpjegohet pse Infrastruktura dhe Ndërlidhja është klasteri ku Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor. OECD thekson se, pavarësisht progresit të rajonit në disa elementë të infrastrukturës, hendeku me vendet fqinje të BE-së mbetet i madh dhe Shqipëria ka rezultatin më të ulët ndër ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

OECD e konsideron pikërisht infrastrukturën e transportit si një nga dobësitë kryesore të konvergjencës me BE-në. Rezultati i Shqipërisë në klasterin “Infrastruktura dhe Ndërlidhja” është vetëm 33 pikë kundrejt mesatares 100 të BE-së, duke e renditur 6-ta nga 6 ekonomitë e rajonit. Dendësia e rrugëve vlerësohet në vetëm 7.6% të nivelit të BE-së, ndërsa ajo hekurudhore në 16.1%.

Megjithatë, hendeku nuk është i njëjtë në të gjithë infrastrukturën. Shqipëria ka arritur praktikisht nivelin e BE-së në mbulimin 4G dhe ka përmirësuar ndjeshëm kostot e energjisë elektrike, por këto përparime nuk kanë kompensuar dobësinë e transportit fizik. OECD e përmbledh këtë kontrast duke e cilësuar transportin shqiptar si të pazhvilluar, me aktivitet hekurudhor të mallrave marginal dhe me shpejtësinë broadband më të ulët në rajon./ekofin

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.