Shqipëria ndër vendet me interesin më të lartë për dosjen Epstein
Ja qytetet më të interesuara
Publikimi i një sasie të madhe dokumentesh hetimore nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për skandalin e Jeffrey Epstein ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga çështjet më të errëta që ka tronditur opinionin publik global. Dosjet e reja hedhin dritë mbi rrjetin e gjerë të kontakteve, mbrojtjet e mundshme dhe heshtjen shumëvjeçare që shoqëroi këtë skandal.
Ndërkohë, interesimi për çështjen Epstein ka shënuar rritje të ndjeshme edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi, ka publikuar disa statistika të bazuara në kërkimet online të qytetarëve, të cilat tregojnë një rritje të fortë të vëmendjes pas përmendjes së emrit të ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në dokumentet e publikuara.
Sipas Kallanxhit, përfshirja e këtij emri ka nxitur qytetarët të kërkojnë më shumë informacion në internet lidhur me dosjen Epstein dhe personat e përmendur në të.
Ai thekson se, sa i përket kërkimeve për emrin “Jeffrey Epstein”, deri pasditen e djeshme Tirana renditej në vendin e parë për interesin më të lartë. Megjithatë, gjatë ditës së sotme, Shkodra ka kaluar në krye të listës si qyteti me numrin më të madh të kërkimeve.
“Kam nxjerrë disa statistika bazuar në kërkimet e shqiptarëve dhe të shqiptarëve të Kosovës. Përmendja e emrit të ish-presidentes Atifete Jahjaga i ka shtyrë qytetarët të kërkojnë më shumë rreth kësaj çështjeje. Deri dje pasdite Tirana ishte në vend të parë për kërkime, por sot Shkodra kryeson listën”, deklaroi Kallanxhi.
Pas Shkodrës, sipas të dhënave, renditen Tirana, Berati, Elbasani dhe Fieri, ndërsa Lezha mbyll listën e qyteteve me interesin më të ulët për këtë temë.
Rritja e kërkimeve online tregon se publikimi i dokumenteve ka ringjallur debatin edhe në hapësirën shqiptare, duke shtuar interesin dhe kërkesën për transparencë mbi një skandal që vazhdon të ngrejë pikëpyetje të forta në nivel ndërkombëtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



