Në Shqipëri, kostoja e jetesës po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme për mijëra familje. Çmimet e produkteve ushqimore mbeten të larta, ndërsa pagat vijojnë të jenë ndër më të ulëtat në rajon, duke e kthyer ushqimin bazë në barrën më të rëndë të buxhetit familjar.
Një nga faktorët kryesorë që rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët është niveli i TVSH-së për ushqimet. Shqipëria aplikon 20% TVSH për produktet bujqësore, blegtorale dhe ushqimet bazë, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian mesatarja është rreth 9%, me norma që shpesh lëvizin nga 0 deri në 10%. Edhe vendet fqinje kanë nivele dukshëm më të ulëta, nga 5 deri në 10%.
Kjo do të thotë se familjet shqiptare, të cilat në shumë raste shpenzojnë deri në 60% të të ardhurave për ushqim, goditen më fort se kushdo tjetër. Sistemi aktual i taksimit konsiderohet regresiv, pasi prek më shumë shtresat me të ardhura të ulëta dhe rrit pabarazinë sociale.
Por problemi nuk lidhet vetëm me taksat. Analiza ekonomike tregon se situata është më e thellë dhe kërkon ndërhyrje në disa drejtime njëherësh. Shqipëria vazhdon të ketë një bujqësi dhe blegtori me potencial të madh, por të pashfrytëzuar. Fermerët përballen me kosto të larta për karburantin, plehrat kimike dhe inputet e tjera, ndërsa mbështetja nga shteti mbetet minimale krahasuar me standardet europiane.
Ekspertët vlerësojnë se një reformë e vërtetë duhet të mbështetet mbi tre shtylla kryesore: uljen e TVSH-së për ushqimet bazë, rritjen e subvencioneve për fermerët dhe blegtorët, si dhe rregullimin e tregut ushqimor. Vetëm një kombinim i këtyre masave mund të sjellë ulje reale dhe të qëndrueshme të çmimeve.
Një tjetër problem serioz mbetet mënyra si funksionon tregu. Diferenca mes çmimit që merr fermeri dhe asaj që paguan konsumatori është shpesh shumë e madhe. Kjo lidhet me zinxhirin e gjatë të ndërmjetësve, mungesën e organizimit dhe informalitetin e lartë. Formalizimi i tregut dhe krijimi i lidhjeve të drejtpërdrejta mes prodhuesit dhe konsumatorit do të ndihmonte në uljen e kostove dhe rritjen e transparencës.
Një paketë e plotë reformash, sipas vlerësimeve, do të kushtonte rreth 300 deri në 350 milionë euro në vit. Kjo shumë përfshin humbjen e të ardhurave nga ulja e TVSH-së, subvencionet për bujqësinë dhe investimet në infrastrukturë, magazinim, përpunim dhe logjistikë. Megjithatë, kjo kosto mund të kompensohet pjesërisht nga ulja e evazionit fiskal, rritja e formalizimit dhe përfitimi nga fondet e Bashkimit Europian.
Në thelb, ulja e çmimeve të ushqimeve nuk mund të arrihet me masa të izoluara. Uljа e TVSH-së pa rritur prodhimin vendas do të kishte efekt të kufizuar, ndërsa subvencionet pa kontroll të tregut rrezikojnë të mos përkthehen në çmime më të ulëta për konsumatorin.
Për këtë arsye, rekomandohet një reformë e integruar që përfshin uljen e menjëhershme të TVSH-së për ushqimet bazë, rritjen graduale të subvencioneve, formalizimin e plotë të tregut dhe harmonizimin me praktikat e vendeve të Bashkimit Europian.







