Naim Noka
Kryeministri Edi Rama, në Ditën e Rinisë, na ofroi një tjetër poezi propagandistike përmes një postimi, duke lavdëruar të rinjtë që sipas tij “punojnë, ndërtojnë dhe frymëzojnë” Shqipërinë. Një mesazh i denjë vetëm për Helenën duke e krahasuar me realitetin dhe faktet.
Sipas INSTAT-it, grupmosha 0-24 vjeç përbënte vetëm 30% të popullsisë në vitin 2023, krahasuar me gati 50% në vitin 2011. Kjo përfaqëson një tkurrje dramatike të të rinjve në vend, me rreth 570 mijë më pak fëmijë dhe të rinj brenda dy dekadash. Çfarë do të thotë kjo? Se rinia shqiptare, e cila duhet të ishte motori i zhvillimit të vendit, po zhduket, jo për shkak të ndonjë katastrofe natyrore, por për shkak të një “katastrofe” politike, sociale dhe ekonomike që vazhdon të prodhohet nga qeveritë e njëpasnjëshme.
Pse po ikin të rinjtë?
A mos vallë nga “energjinë dhe vizioni” që u ofron qeveria? Apo ndoshta sepse janë lodhur nga mungesa e shpresës, pagat qesharake, arsimi i degraduar dhe një sistem që favorizon militantizmin politik mbi meritokracinë?
Shqipëria po boshatiset
Ironikisht, ndërsa Kryeministri flet për një “Shqipëri në transformim anekënd”, transformimi i vetëm që po ndodh është boshatisja e vendit. Sot, të rinjtë shqiptarë janë ndër më të prirurit për emigrim në Europë, me shifra alarmante që e vendosin Shqipërinë në krye të vendeve që po humbasin kapitalin njerëzor.
Në vend që të ndërtojnë tokat e të parëve, siç sugjeron Rama, të rinjtë shqiptarë po marrin rrugën drejt Gjermanisë, Italisë dhe vendeve të tjera europiane për të punuar në bujqësi, ndërtim dhe shërbime – punë që qeveria e tij pretendon se po i promovon në Shqipëri.
Hipokrizia në Ditën e Rinisë
Si mund të flasim për respekt ndaj rinisë kur universitetet tona janë në gjendje mjerane, kur investimet në arsim janë minimale, dhe kur bursat dhe mundësitë për zhvillim janë pothuajse inekzistente? Si mund të frymëzohet rinia, kur për të pasur një vend pune të denjë, duhet të kesh një teser partie si Helena e re socialiste apo një mik në politikë?
E vërteta është se rinia shqiptare nuk po dëgjon më fjalimet boshe të udhëheqësve. Ajo po dëgjon zërin e TikTok-ut që promovon jetën në emigracion, zërin e atyre që kanë ndërtuar një jetë të re jashtë kufijve, dhe zërin e dëshpërimit që e shtyn drejt aeroportit.
Dita e Rinisë duhet të ishte një moment reflektimi, jo për lavdërime boshe, por për të marrë masa konkrete. Shqipëria ka ende mundësinë të rikthejë shpresën, por kjo nuk mund të ndodhë me fjalë të bukura propagande. Duhet një revolucion në arsim, në politikat e punësimit, dhe mbi të gjitha, një sistem që të promovojë meritokracinë.
Nëse jo, Dita e Rinisë së Shqipërisë do të jetë thjesht një kujtim i largët, ashtu siç po bëhet rinia vetë.