Shqipëria si Sudani
Klodian Tomorri
Kur shkoi Ina Rama të arrestonte komandantin e Gardës më 21 janar, doli qeveria dhe tha se ky është grusht shteti.
Doktori shkoi dhe shpiku edhe një term atëherë: po tentohet dekapitimi i zinxhirit komandues të Gardës për të lënë qeverinë dhe qeveritarët pa mbrojtje, me qëllim marrjen e pushtetit.
Ikën ca vite dhe erdhëm prapë te grushti i shtetit. Tani nuk e kemi më dekapitim, por kemi grushtin “soft” të shtetit. Prokuroria dhe gjykatat po diktojnë përbërjen e qeverisë.
Pra, në vetëm 15 vjet, kemi dy “puçista” të konfirmuar: Ina Rama që donte të dekapitonte Gardën dhe Premci me Dumanin që po dekapitojnë kabinetin qeveritar.
Tani, që të shpëtojmë nga këto grushte shteti, nëse po bëhemi si Sudani me nga një grusht shteti vit për vit, fusni një nen në Kushtetutë që ndalon pezullimin, hetimin, arrestimin e kryeministrit, ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive, gardistëve etj. etj.
Dhe SPAK-u të merret vetëm me hajdutët e pulave. Pse, e pak hajdut pulash ka Shqipëria? Arrestoni këta ju.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


