Shqipëria sot, një vend analfabetësh funksionalë!

Si dështoi shteti në formimin e kapitalit njerëzor

 Naim Noka

Nëse doni të kuptoni pse Shqipëria po mbetet pas, nuk ka nevojë të shikoni më larg se këto shifra alarmante: 47% e popullsisë mbi 15 vjeç ka arritje të ulëta arsimore, ndërsa vetëm 18.1% ka arritje të larta. Kjo do të thotë se gati gjysma e shqiptarëve nuk janë në gjendje të lexojnë dhe kuptojnë një tekst të thjeshtë ose të kryejnë veprime bazike aritmetike. Jo më të përdorin e-Albania e Ramës! Në një kohë kur bota po përparon me hapa të shpejtë në teknologji dhe inovacion, Shqipëria mbetet një komb analfabetësh funksionalë, të cilët qeveria po i përdor si masë e lehtë për t’u manipuluar politikisht edhe pak vite.

Një shtet që e ushqen injorancën Kjo situatë nuk është aksidentale. Është rezultat i një politike të qëllimshme që nuk investon në arsim, por në fasada dhe propagandaë. Arsimi është reduktuar në një sistem që prodhon diploma bosh, ku korrupsioni e ka shkatërruar cilësinë dhe ku një universitet i pavarur nga politika është bërë një relike e së kaluarës.

Të dhënat e INSTAT për vitin 2024 janë edhe më dëshpëruese: pjesëmarrja në arsimin dhe trajnimin formal dhe joformal për grupmoshën 25-34 vjeç është vetëm 1.8%, ndërsa për moshat më të mëdha, bie nën 0.5%. Ky rezultat është një katastrofë kombëtare, por për qeverinë nuk përbën problem, sepse një popull i pashkolluar është një popull i bindur.

Në vend që të reformojnë arsimin, të ndërtojnë shkolla profesionale dhe të investojnë në edukimin e të rriturve, qeveria ka zgjedhur rrugën më të lehtë: mashtrimin e qytetarëve me projekte letre dhe studime fizibiliteti që nuk shkojnë askund. Premtimi më i fundit është një “udhërrëfyes për të mësuarit gjatë gjithë jetës”, një tjetër dokument që do të mbetet në sirtar, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të shpopullohet.

Ironia më e madhe është se Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjet e asocimit për Programin e Europës Digjitale dhe teorikisht mund të përfitojë nga një buxhet miliardash nga BE. Por si mund të flasim për një Shqipëri digjitale, kur gjysma e popullsisë nuk di të lexojë e të shkruajë siç duhet?

Pa arsim dhe pa dije, Shqipëria nuk ka të ardhme. Bizneset do të vuajnë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, administrata publike do të mbetet e paaftë dhe vendi do të vazhdojë të prodhojë emigrantë, jo profesionistë. Kjo nuk është thjesht një krizë arsimore, por një tragjedi kombëtare që po shkatërron Shqipërinë në themele.

Por ndoshta kjo është pikërisht ajo që duan politikanët: një popull që nuk lexon dot, nuk llogarit dot, nuk mendon dot.  Një popull që nuk proteston dhe nuk kërkon llogari. Një popull që skedohet nga patronazhistë, Një popull që qeveriset lehtë.

Në këtë Shqipëri të pashkolluar, fituesit e vetëm janë ata që e mbajnë popullin në errësirë. Nuk është rastësi që Manastirliu ka lindur të jetë ministre gjithologe  e aftë edhe për bashkinë e Tiranës dikur, sot  e aftë për shëndetësinë, për bujqësinë, blegtorinë, turizmin dhe arsimin…

Publikuar nga Publik Media