Shqiptarët po ikin, me qindra hoqën dorë nga shtetësia brenda një viti
Shqiptarët nuk po largohen nga vendi vetëm për të kërkuar një mundësi më të mirë jashtë kufijve. Për një numër në rritje, emigrimi po shndërrohet në një largim përfundimtar, i shoqëruar edhe me heqjen dorë nga shtetësia shqiptare.
Të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se gjatë vitit të kaluar, afro 900 qytetarë shqiptarë kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, kryesisht në kuadër të procesit për të marrë shtetësinë e një vendi tjetër. Krahasuar me vitin 2024, numri është rritur me 52 raste, ose rreth 6.1%.
Në total, gjatë dekadës së fundit, numri i shqiptarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia ka kaluar 6,600.
Pas vendimit për t’u larguar përgjithmonë qëndrojnë faktorë të ndryshëm, nga mundësitë më të mira ekonomike dhe profesionale te arsimi dhe shërbimet shëndetësore. Për shumë emigrantë, marrja e shtetësisë së vendit ku kanë ndërtuar jetën shihet si hapi i fundit i integrimit dhe një mundësi për të përfituar të drejta që lidhen me statusin e qytetarit.
Juristi Rafael Todhe, i cili ushtron profesionin në Gjermani, shpjegon se në disa vende marrja e shtetësisë së re lidhet edhe me detyrimin për të hequr dorë nga shtetësia e mëparshme.
Sipas tij, procedurat për marrjen e një shtetësie të re mund të jenë të gjata dhe, në disa raste, mund të zgjasin disa vite, ndërsa personat që plotësojnë kriteret dhe kanë integrim më të konsoliduar mund të kenë përparësi në këtë proces.
Një tjetër faktor është politika që ndjekin shtetet pritëse ndaj dyshtetësisë. Disa vende europiane kanë kufizime ose kushte të veçanta për mbajtjen e dy shtetësive, duke bërë që emigrantët shqiptarë të përballen me zgjedhjen mes shtetësisë së origjinës dhe asaj të vendit ku jetojnë.
Pse shqiptarët po zgjedhin të mos kthehen?
Sociologu Gëzim Tushi e lidh këtë prirje me disa prej faktorëve kryesorë që ndikojnë te vendimi i shqiptarëve për të ndërtuar jetën jashtë vendit.
Sipas tij, ndër arsyet kryesore janë mundësitë për një punë më të mirë, arsim më cilësor dhe shërbime shëndetësore më të mira. Përfitimi i shtetësisë së një vendi europian u jep emigrantëve edhe një status më të konsoliduar, së bashku me të drejta të tjera që lidhen me lëvizjen dhe vendosjen e lirë brenda hapësirës europiane.
Kjo prirje është veçanërisht shqetësuese për Shqipërinë për shkak të strukturës së moshës së emigrantëve.
Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 52% e personave që largohen nga vendi i përkasin grup-moshës 15-35 vjeç. Bëhet fjalë për një grupmoshë që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të forcës së punës dhe të potencialit demografik të vendit.
Largimi i të rinjve nuk ndikon vetëm në numrin e banorëve. Ai redukton edhe fuqinë punëtore, përshpejton plakjen e popullsisë dhe krijon presion të mëtejshëm mbi zhvillimin ekonomik dhe demografik të Shqipërisë.
“Përveç tkurrjes ekonomike, forca e madhe e punës largohet, nga ana tjetër ne perceptojmë një tkurrje demografike, plakje më e shpejtë e popullsisë sonë”, është shprehur sociologu Gëzim Tushi.
Mbi 521 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësi të BE-së
Fenomeni bëhet edhe më i dukshëm kur shihet në një periudhë më të gjatë kohore.
Sipas të dhënave të Eurostat, më shumë se 521 mijë qytetarë shqiptarë kanë fituar shtetësinë e një prej vendeve të Bashkimit Europian gjatë dy dekadave të fundit.
Shifrat tregojnë se emigrimi shqiptar nuk kufizohet më te largimi për punësim apo për një periudhë të përkohshme. Për një pjesë të emigrantëve, vendosja jashtë vendit po shoqërohet me integrim të plotë, krijim familjeje, karrierë dhe në fund edhe marrjen e shtetësisë së vendit pritës.
Në këtë mënyrë, emigrimi po merr gjithnjë e më shumë karakter afatgjatë. Çdo aplikim i ri për shtetësi dhe çdo heqje dorë nga shtetësia shqiptare është një tregues i një vendimi që në shumë raste shkon përtej një udhëtimi apo një kontrate pune jashtë vendit.
Për Shqipërinë, kjo nënkupton një sfidë të dyfishtë: jo vetëm të menaxhojë pasojat ekonomike të emigrimit, por edhe të përballet me humbjen e një pjese të popullsisë së re dhe aktive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





