Shtetet e Bashkuara trajnojnë truprojat e SPAK-ut
në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit në Budapest
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një program special trajnimi për truprojat e prokurorëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), përfshirë edhe siguresën pranë drejtuesit të institucionit, Altim Dumani. Trajnimi po zhvillohet në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit (ILEA) në Budapest, një nga qendrat kryesore të shkollimit për forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe rendit.
Sipas të dhënave zyrtare, pjesë e këtij programi janë edhe truprojat e disa zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare, të cilët po marrin trajnim të avancuar në menaxhimin e rreziqeve, taktika mbrojtëse, reagim ndaj kërcënimeve dhe standarde ndërkombëtare të sigurisë fizike.

Ky kurs i specializuar vjen në një moment kur SPAK ndodhet nën presion të shtuar për shkak të hetimeve ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe rritjes së masave të sigurisë për prokurorët që drejtojnë dosje të ndjeshme.
Trajnimi në ILEA Budapest konsiderohet një nga programet më prestigjioze në rajon, i ofruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, dhe synon rritjen e profesionalizmit të strukturave mbrojtëse që shërbejnë pranë institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit shqiptar.
Ky bashkëpunim i ngushtë me SHBA-në shihet edhe si pjesë e përforcimit të sigurisë institucionale në kushtet e rritjes së kërcënimeve ndaj zyrtarëve që hetojnë dhe godasin korrupsionin e niveleve të larta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



