Shuhet familja shqiptare në Itali, zbardhen emrat e viktimave
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një familje me katër anëtarë humbi jetën tragjikisht, ndërsa dyshimet e para lidhen me helmimin nga monoksidi i karbonit brenda banesës së tyre.
Mediat italiane bëjnë me dije se viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre: Hajdari 22 vjeç dhe vajza më e vogël e familjes, Xhesika, 15 vjeçe.
Tragjedia ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Porcari, një zonë në fushën e Luccës. Sipas raportimeve të mediave italiane, alarmi u ngrit nga vëllai i kryefamiljarit, i cili u shqetësua pasi nuk po merrte përgjigje nga familjarët në telefon.
I shoqëruar nga dy karabinierë, ai shkoi në banesën trekatëshe të familjes. Duke mos marrë asnjë reagim nga brenda, ata u detyruan të hyjnë me forcë në shtëpi, ku u përballën me një skenë tragjike: katër anëtarët e familjes të pajetë, të shtrirë në dysheme.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë orëve të darkës. Ekipet e emergjencës që hynë në banesë gjetën tryezën e shtruar, çka sugjeron se familja kishte qenë duke u përgatitur për të ngrënë në momentin e ndodhjes së tragjedisë.
Dy efektivët e karabinierëve që ndërhynë fillimisht për ndihmë shfaqën simptoma të lehta helmimi nga gazrat, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën pas trajtimit mjekësor.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar burimin e rrjedhjes së monoksidit të karbonit. Vëmendja është përqendruar te sistemi i ngrohjes në banesë, i cili pritet të verifikohet për të kuptuar nëse një defekt teknik ka shkaktuar tragjedinë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



