Si në Zvërnec, telat me gjemba rrethojnë Baks-Rrjollin
Banorët përplasen me rojet: Po na nëpërkëmbin dinjitetin!
Pas heqjes së gardheve me tela me gjemba nga zona e Zvërnecit, një situatë e ngjashme është shfaqur në Baks-Rrjoll të Velipojës, ku sipërfaqe të konsiderueshme toke janë rrethuar, duke nxitur reagime të forta nga banorët që pretendojnë pronësinë.
Prej muajsh, banorët e zonës kundërshtojnë atë që e cilësojnë si zaptim të paligjshëm të tokave të tyre. Sipas tyre, një ish-zyrtar i Kadastrës në Shkodër ka ndërhyrë në dokumentacionin e pronësisë, duke tjetërsuar sipërfaqe të tëra dhe më pas duke i kaluar ato tek një investitor privat, i cili synon ndërtimin e një resorti turistik në vijën bregdetare të Velipojës.
Edhe pse çështja është nën hetim nga Prokuroria e Shkodrës, projekti nuk është ndalur. Prania e përfaqësuesve të kompanisë ndërtuese dhe e policisë private që ruan territorin ka çuar në përshkallëzim të situatës, ku në disa raste janë shënuar edhe përplasje fizike me banorët.
Ndërkohë, autoritetet kanë ndërmarrë procedime ndaj disa prej protestuesve, çka ka shtuar më tej tensionet në zonë. Sipas burimeve, leja e zhvillimit për këtë projekt është firmosur nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Në reagimet e tyre publike, banorët shprehen se telat me gjemba nuk simbolizojnë vetëm rrethimin e një prone, por edhe cenimin e dinjitetit dhe të drejtave të tyre. Si shenjë proteste, ata kanë vendosur ta zhvendosin kundërshtimin e tyre nga Velipoja drejt Tiranës, duke iu bashkuar tubimit qytetar që prej disa ditësh po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



