E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si paracaktuan fituesit e tenderit 2 mln € Balluku dhe zyrtarët e tjerë
Flash

Si paracaktuan fituesit e tenderit 2 mln € Balluku dhe zyrtarët e tjerë

SKEMA/ Berberi çoi listën e renditjes së kompanive, ministrja ndërhyri për ndryshimin e fituesit

Janë zbardhur detaje të reja nga dosja penale Nr.136, ku përveç zv/kryeministres së Shqipërisë, Belinda Balluku, si të pandehur janë marrë edhe pesë zyrtarë të tjerë të ministrisë: Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica.

Sipas informacionit të siguruar, Balluku ka komunikuar direkt me Evis Berberin përmes një nga telefonat e sekuestruar, duke urdhëruar ndryshimin e listës së renditjes së fituesve të një tenderi. Urdhërat janë dhënë nga Balluku në telefon, ndërsa zyrtarët e tjerë, duke filluar nga ish-drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë zbatuar këto instruksione në mënyrë të koordinuar, deri në përfundimin e porosisë së dhënë nga zv/kryeministrja.

Nga mesazhet e sekuestruara të Berberit, Balluku njihet nga ai me përmbajtjen e një dokumenti të dërguar përmes aplikacionit “WhatsApp”, që tregonte renditjen e kompanive pjesëmarrëse në tenderin me vlerë 2 milionë euro, të hapur nga Ministria e Infrastrukturës, për supervizimin e punimeve në tunelin e Llogarasë.

Sapo u njoh me renditjen, Balluku filloi të shkëmbejë mesazhe me Berberin, duke e udhëzuar atë të anullojë praktikën e prokurimit dhe ta rihapë për të ndryshuar renditjen e kompanive fituese.

Megjithëse ligji ndalon titullarin e ministrisë të marrë pjesë në procedurat tenderuese, në praktikë Balluku ka vepruar në prapaskenë, duke urdhëruar vartësit e saj në ministri dhe në Autoritetin Rrugor Shqiptar të kryejnë çdo manovër të mundshme që favorizonte kompanitë “Net Group” dhe hollandezen “Hill International”.

Para shpalljes së fituesve, praktika e prokurimit është anulluar dy herë, ndërsa për herë të tretë tenderi u hap më 1 dhjetor 2021. Në mars 2022, ministria e drejtuar nga Balluku shpalli fituesit e kontratës me vlerë 196 milionë lekë, ose rreth 2 milionë euro.

Në tender morën pjesë bashkimi i kompanive “Stucky L.T.D” dhe “Gjeokonsult & CO” me pronar Xhevahir Mustafaj, të cilët garuan kundër “Hill International N.V”, pronë e një shtetasi hollandez me administrator grek, Ioannis Kirkinezis, dhe “Net-Group”, në pronësi të Valter Begajt, mik i ngushtë i Ervis Berberit.

Dyshimet për favorizim u shtuan kur kompanitë “Stucky L.T.D” dhe “Gjeokonsult & CO” u skualifikuan për mosplotësim të kushteve, duke i hapur rrugën “Hill International N.V” dhe “Net-Group”, që në mars 2022 shpalleshin fitues me ofertë 194 milionë lekë, për një kontratë me kohëzgjatje 34 muaj për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë.

Në kuadër të hetimeve, prokurori Dritan Prençi ka kërkuar në prill 2025 në ARRSH tërheqjen e dokumenteve të tenderit. Analiza e mesazheve telefonike midis Berberit dhe Ballukut ka treguar se fituesit janë paracaktuar dhe kompanitë e tjera janë skualifikuar qëllimisht, për shkak të lidhjeve personale mes Berberit, Ervis Lamës, mikut të tyre Valter Begaj dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.