Si po grabiten tifozët me biletat në treg të zi

Fillojnë arrestimet e para 

Një ndeshje, një kaos: Shqipëri–Serbi më 7 qershor 2025 në Tiranë

Ndeshja më e ndezur e dekadës, ajo mes Shqipërisë dhe Serbisë në stadiumin “Arena Kombëtare”, po shndërrohet në një fushë betejë për biletat, ku pasioni i tifozëve është kthyer në objekt grabitjeje nga një rrjet spekulantësh e mashtruesish të mirëorganizuar. Ndërsa kuqezinjtë përgatiten për një përballje historike në fushë, në prapaskenë po luhet një tjetër “ndeshje” – ajo e abuzimit, manipulimit dhe tregtisë së paligjshme me bileta.

Arrestimet e para bileta me 1000 euro dhe QR code false

Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë konfirmojnë për Publik.al se janë arrestuar disa persona që shisnin bileta të falsifikuara apo origjinale me çmime të shumëfishuara – nga 300 deri në 1000 euro për copë. Hetimet janë marrë në dorë nga Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar, i cili ka nisur një proces të gjerë verifikimi të rrjeteve online, komunikimeve dhe reklamave të bëra në mënyrë të fshehtë në rrjetet sociale dhe aplikacione të komunikimit të shpejtë.

Treg i zi, fitim i kuq dhe humbje për tifozët

Ndërkohë që çmimet zyrtare të biletave varionin nga 30 deri në 250 euro, tregu i zi ka nxjerrë për shitje bileta të njëjta me çmime të çmendura, duke e kthyer emocionin sportiv në një mekanizëm spekulativ që pasurohet mbi pasionin e tifozëve.

Mashtrimi është i dyfishtë: një pjesë e këtyre biletave janë të falsifikuara, me QR Code false që nuk kapen nga kontrollet vizuale, por vetëm në skanimin elektronik në hyrje. Një tjetër pjesë janë bileta zyrtare të blera në sasi nga individë të lidhur me institucione apo kompani, të cilat më pas shiten me fitim të pastër në kanale paralele.

Kërkesë rekord, ofertë minimale: Parajsa e spekulantëve

Me një kapacitet prej vetëm 22,500 vendesh, “Arena Kombëtare” përballet me një interes prej mbi 500,000 tifozësh shqiptarë, që kërkojnë të jenë dëshmitarë të një ndeshjeje me tension politik dhe emocion historik. Ky hendek masiv mes kërkesës dhe ofertës ka krijuar kushte perfekte për lulëzimin e një tregu informal, abuziv dhe kriminal.

Pse shteti hesht ndaj mafies së biletave?

Pavarësisht arrestimeve të para, mungesa e një sistemi të sigurt elektronik, mungesa e transparencës në shpërndarjen e biletave dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale e ka lejuar për shumë vite ekzistencën e kësaj mafie të vogël që vepron lirshëm për çdo aktivitet madhor sportiv apo kulturor.

A po hetohet ndonjë punonjës brenda sistemit? Kush i shpërndan biletat në mënyrë selektive? Kush përfiton nga ky trafik? Deri tani, këto pyetje mbeten pa përgjigje.

Në vend që të shijojnë ndeshjen me dinjitet dhe pasion, mijëra tifozë shqiptarë janë vënë përballë zgjedhjes së padrejtë mes mashtrimit ose përjashtimit. Ndërsa klasat e privilegjuara dhe njerëzit me lidhje sigurojnë bileta lehtësisht, tifozët e zakonshëm rrezikojnë të mashtrohen apo të paguajnë çmime që tejkalojnë buxhetin mujor familjar.

A do të ndëshkohet kush duhet?

Publik.al i bën thirrje SPAK-ut, Policisë së Shtetit dhe FSHF-së të zbulojnë deri në fund zinxhirin e abuzimit, të identifikojnë dhe ndëshkojnë jo vetëm shitësit e vegjël të tregut të zi, por edhe hallkat brenda institucioneve që mundësojnë këtë skemë.

 

Publikuar nga Publik Media