E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si po luhet me jetët e qytetarëve nga papërgjegjshmëria e shtetit
Lajme

Si po luhet me jetët e qytetarëve nga papërgjegjshmëria e shtetit

Nga zjarri te pallati i Arlis tek hotel “Brooklin” në Vlorë

Një zjarr që, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se nisi nga priza e një frigoriferi në restorantin e hotelit “Brooklyn”, përfundoi me turistë të plagosur rëndë dhe të tjerë të dëmtuar teksa përpiqeshin t’u shpëtonin flakëve dhe tymit. Ngjarja, e ndodhur në kulmin e sezonit turistik dhe në një nga zonat më të frekuentuara të Vlorës, ngre pikëpyetje që shkojnë përtej shkakut fillestar të zjarrit.

Sepse pasi përcaktohet se nga nisi zjarri, mbetet për t’u shpjeguar pse ai u përhap në një masë të tillë dhe pse evakuimi rezultoi kaq problematik.

A kishte hoteli sistem alarmi dhe detektorë tymi? A kishte fikëse zjarri funksionale dhe dalje të sigurta emergjence? A ekzistonte dhe a funksionoi plani i evakuimit? Dhe mbi të gjitha, kur ishte kontrolluar për herë të fundit hoteli, nga cili institucion dhe çfarë ishte konstatuar?

Një prej pushuesve ka treguar se, pasi doli në korridor dhe pa tymin, u detyrua të kthehej në dhomë dhe të hidhej nga ballkoni, duke përfunduar në beton. Nëse një defekt elektrik në restorant mund të krijojë një situatë ku njerëzit nuk mund të përdorin rrugët normale të largimit, atëherë pyetja nuk është vetëm se si nisi zjarri, por edhe nëse masat e sigurisë funksionuan ashtu siç duhet.

Deri më tani, as Policia dhe as institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë publike përgjigje të plota për këto pyetje. Nuk dihet nëse hoteli kishte certifikatë të vlefshme të sigurisë nga zjarri, kur ishte kryer kontrolli i fundit dhe çfarë kishte konstatuar ai kontroll.

Por premtimi për kontrolle të tilla ekziston në dokumentet zyrtare.

Më 29 maj, më pak se tre muaj përpara zjarrit në Vlorë, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari njoftonte një plan të posaçëm për sezonin turistik. Ai deklaronte se do të kryheshin “kontrolle në hotele, resorte, restorante, beach-bar dhe subjekte të tjera me risk, për të verifikuar masat e sigurisë dhe planet e evakuimit”. Sipas tij, “në këtë proces nuk ka vend për formalitet. Ka vend vetëm për përgjegjësi”.

Tani është momenti që kjo përgjegjësi të matet me dokumente.

A ishte hoteli “Brooklyn” mes subjekteve të kontrolluara përpara sezonit turistik? Nëse po, kur u krye kontrolli, nga cili institucion dhe çfarë u konstatua? Nëse nuk ishte kontrolluar, pse? Dhe nëse rezultonte se hoteli përmbushte standardet e sigurisë, si mundi një zjarr i nisur nga një defekt elektrik të shndërrohej në një situatë ku turistët rrezikuan jetën për t’u larguar?

Legjislacioni shqiptar parashikon që, pas verifikimit të respektimit të kërkesave për mbrojtjen nga zjarri, struktura përgjegjëse e MZSH-së lëshon certifikatën e sigurisë nga zjarri. Për këtë arsye, një nga dokumentet e para që duhet të bëhet publik është pikërisht certifikata e hotelit dhe dosja e kontrolleve të kryera gjatë vitit 2026.

Rasti i Vlorës vjen vetëm pak muaj pas një tjetër zjarri të përmasave të mëdha, këtë herë në një pallat shumëkatësh në Tiranë. Edhe aty, sipas ekspertizës paraprake, flakët nisën nga një pajisje elektrike, një kondicioner, për t’u përhapur më pas në fasadë dhe për të shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesë.

Në të dyja rastet, shkaku fillestar mund të duket banal. Por një prizë apo një kondicioner nuk shpjegojnë vetë se përse një ndërtesë përfundon e pushtuar nga flakët. Pikërisht për këtë ekzistojnë standardet e sigurisë, sistemet kundër zjarrit, materialet rezistente, daljet e emergjencës, kontrollet dhe inspektimet.

Ministria e Brendshme ka folur gjatë verës për gatishmëri, kontrolle dhe siguri në sezonin turistik, ndërsa institucionet përgjegjëse për turizmin kanë përcjellë vazhdimisht mesazhe për standarde dhe siguri.

Pas zjarrit në “Brooklyn”, megjithatë, përgjigjja nuk mund të jetë një tjetër deklaratë apo një tjetër video nga terreni.

Institucionet duhet të japin një përgjigje konkrete: A i plotësonte hoteli kushtet e sigurisë dhe, nëse po, si përfundoi një defekt elektrik në një ngjarje që rrezikoi jetën e turistëve?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.