Si ra në ‘vesh të shurdhër’ paralajmërimi i Yuri Kim për Vlora Hysenin
Ambasadorja e SHBA-së e kishte kundërshtuar vendosjen e saj në krye të SHISH, Rama nuk e dëgjoi
Gazetari Lavdrim Lita, duke folur për rolin e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, është ndalur edhe te mënyra se si institucionet shqiptare trajtojnë vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për emërimet në poste të rëndësishme.
Lita ka sjellë si shembull rastin e Vlora Hysenit, duke pretenduar se ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, kishte shprehur rezerva për emërimin e saj në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Sipas gazetarit, Yuri Kim e kishte konsideruar Hysenin të papërshtatshme për drejtimin e SHISH-it dhe këtë qëndrim ia kishte përcjellë Presidentit të Republikës. Megjithatë, sipas Litës, institucionet shqiptare vijuan me emërimin.
Në vijim, gazetari ka argumentuar se Shqipëria duhet t’i marrë më seriozisht vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona që marrin poste në institucione të rëndësishme të sigurisë.
“Sigurisht ne e kemi karikuar shumë prezencën e ambasadorit amerikan në Tiranë sepse shpesh herë ne sillemi edhe si minoren në demokraci dhe kemi nevojë për tuturazh edhe për orientim për reformat apo për sjelljen tonë në arenën ndërkombëtare dhe shpeshherë marrim një bekim apo një leje në ambasadë për të bërë disa gjëra të mëdha ose disa gjëra që mund t’i bënim dhe vetë, por kërkojnë gjithmonë të dimë a jemi në rregull me këtë gjë edhe kur ambasada amerikane ose ambasadori ka thënë që disa njerëz nuk janë të përshtatshëm për t’u emëruar në institucione.
Rasti i Vlora Hysenit ishte një i tillë ku ambasadorja Yuri Kim, pavarësisht personazhit të saj shumë interesant, e paralajmëroi Presidentin e Republikës duke thënë që zonja është unfit për të marrë detyrën e kreut të SHISH-t. Institucionet shqiptare bënë atë respektin e dëgjesës, por vendosën sipas interesit të kryeministrit Rama dhe pastaj ne ia pamë sherrin disa vite më vonë, pra gati dy vite më vonë.
Pra është mirë që të dëgjojmë dhe partnerët, të cilët kanë më shumë informacion shpeshherë se institucionet shqiptare për profilin e njerëzve në drejtim dhe duhet t’i lëmë kohë dhe ambasadorit dhe të tjerëve që të njihen me institucionet, njihen me interlokutorët dhe se si do të përqaset.
Ai është një person që i arrin objektivat. Unë kam folur pak edhe me oficerët shqiptarë të cilët kanë punuar me të në Afganistan. Ai ka qenë një gjeneral që ka qenë me forcat speciale, ka qenë me Ushtrinë amerikane në Afganistan.
Ka shumë shqiptarë të cilët kanë punuar me të dhe një fjalë që e thonin pothuajse të gjithë, pavarësisht njëri-tjetrit, thoshin që është kokëfortë edhe person që i arrin ato gjërat që kishte mision,” , tha ai për Euronews.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



