Si “stërviste” menaxheri operatorët e call centerit që mashtronin europianët
Emisioni investigativ italian “Le Iene” ka publikuar pamje dhe detaje tronditëse nga hetimi që çoi në çmontimin e një rrjeti të organizuar call center-ash në Tiranë, operacion gjatë të cilit u arrestuan tetë persona.
Hetimi rezultoi fillimisht i dekonspiruar, pasi në momentin që agjentët e BKH u paraqitën në ambientet e call center-ave, zyrat ishin gjetur tashmë të boshatisura. Pavarësisht kësaj, autoritetet vijuan ndjekjen e personave të përfshirë dhe arritën të zbulojnë bazën e re nga ku do të vazhdonte aktiviteti i mashtrimit ndaj qytetarëve europianë.
Sipas të dhënave të hetimit, në ambientet e reja ishin bërë gati për “aksion” rreth 500 kompjutera, nga të cilët pritej të vijonte një skemë mashtrimi që synonte përfitime financiare në shifra marramendëse, dhjetëra milionë euro në muaj. Në të njëjtat zyra u sekuestruan gjithashtu qindra hard disqe të jashtme, USB dhe pajisje të tjera ruajtjeje të dhënash, ku dyshohet se ruheshin, mes të tjerash, edhe kodet e aksesit në portofole digjitale ku përfundonin paratë e përfituara nga mashtrimi.
Masat e sigurisë të dhëna nga GJKKO
-
Remir Gjoligaj – arrest me burg
-
Endri Gjata – arrest me burg
-
David Qerimi – arrest me burg
-
Elis Merkaj – arrest me burg
-
Rentjan Peposhi – arrest me burg me afat 20 ditë
-
Odeas Kuqi – arrest me burg me afat 20 ditë
-
Hysen Xhepexhiu – arrest me burg
-
Klaudio Kaçupi – arrest me burg
Investigimi i “Le Iene” ka zbardhur në detaje mënyrën se si funksiononte grupi kriminal, i cili përmes call center-ave mashtronte qytetarë europianë, duke përfituar shuma që sipas hetimit arrinin nga 20 deri në 30 milionë euro në muaj.
Në kuadër të këtij investigimi, emisioni kishte infiltruar një operator brenda call center-it, i cili u trajnua drejtpërdrejt nga menaxheri për mënyrën se si duhej të vepronte për të futur viktimat në kurth. Ai i shpjegon se në zyrë ka operatorë të ndarë sipas shteteve, të cilët merren me klientë italianë, gjermanë, spanjollë dhe francezë.
Menaxheri, i identifikuar si Karlo, e udhëzon të infiltruarin që fillimisht të zgjedhë një emër “arti”, duke theksuar se identiteti i tij i vërtetë nuk duhet në asnjë mënyrë të zbulohet për personat që do të mashtroheshin.
“Fillimisht bëji të mendojnë se kanë fituar 20–30 euro në ditë. Nuk do të të besojnë nëse u thua menjëherë 1 mijë apo 2 mijë euro. Duhet të krijosh empati”, dëgjohet të thotë ai në një nga regjistrimet e publikuara.
Në momentin e arrestimit, kur u konstatua se ambientet ishin pastruar në detaje dhe operacioni ishte dekonspiruar, Karlo ka refuzuar të bashkëpunojë me agjentët e BKH dhe ka mohuar çdo dijeni për aktivitetin kriminal. Megjithatë, nga pamjet dhe materialet e investigimit, roli i tij në funksionimin e grupit shfaqet qartë dhe pa asnjë dyshim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



