E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si u arrestua Ergys Agasi: U pikas në Elbasan dhe u kap në Durrës
Lajme

Si u arrestua Ergys Agasi: U pikas në Elbasan dhe u kap në Durrës

Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, është arrestuar ditën e sotme nga Forcat Operacionale.

Sipas burimeve të raportuara nga mediat, Agasi është lokalizuar në Elbasan dhe më pas është arrestuar në zonën e Plepave në Durrës, teksa udhëtonte me automjet.

Mësohet se në momentin e arrestimit, Agasi ndodhej në makinë së bashku me Uljan Shpatarakun, ish-punonjës policie i shpallur gjithashtu në kërkim. Shpataraku është përmendur më herët në raportime si person i afërt me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Hetimi për dosjen e AKSHI-t

Ergys Agasi, së bashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë, është nën hetim nga SPAK në kuadër të një dosjeje që lidhet me dyshime për grup të strukturuar kriminal dhe manipulim të procedurave të prokurimit publik në AKSHI.

Në kuadër të këtij hetimi, biznesmeni Ermal Beqiraj është arrestuar më herët në Francë dhe ndaj tij autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin.

Ndërkohë, GJKKO ka vendosur masa edhe ndaj zyrtarëve të lidhur me çështjen. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është vendosur në arrest shtëpie, ndërsa ish-zv.drejtoresha Hava Delibashi është lënë në detyrim paraqitjeje, për shkak të shtatzënisë. Po ashtu, është pezulluar nga detyra zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismailaj.

Sipas hetimeve të SPAK, Agasi dhe Beqiraj dyshohet se kanë ushtruar presion, përmes shantazhit dhe heqjes së paligjshme të lirisë, ndaj biznesmenit Gerond Meçe, me qëllim tërheqjen e ankimeve për disa tenderë.

29 prona të sekuestruara

Në kuadër të hetimit, Agasit i janë sekuestruar gjithsej 29 pasuri, mes tyre apartamente, vila, troje, garazhe dhe sipërfaqe toke në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

Në Tiranë janë sekuestruar pasuri në zonat e Petrelës dhe Lundrës, përfshirë disa apartamente dhe garazhe. Ndërsa në Durrës dhe Vlorë janë sekuestruar truall, ndërtesa dhe apartamente.

Në listën e pasurive të sekuestruara është edhe një automjet Land Rover Defender, tre llogari bankare dhe një pjesë e Equos Resort.

Arrestimi i Agasit pritet të sjellë zhvillime të reja në një prej dosjeve më të bujshme të SPAK, ndërsa tashmë pritet që ai të dalë përpara Gjykatës së Posaçme për vlerësimin e masës së sigurisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.