Si u orientuan shërbimet jetike nga QSUT te ‘duart’ e Allajbeut
Në vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor miratuan 10 paketa shëndetësore, të cilat përcaktonin mënyrën e trajtimit për 10 diagnoza konkrete. Në atë kohë u premtua se paketa të tjera do të hartoheshin shumë shpejt, por dhjetë vite më vonë ky proces ka mbetur në vendnumëro, pa asnjë shtesë të re.
Në parim, paketa shëndetësore i jep pacientit të drejtën ta marrë shërbimin si në sistemin publik, ashtu edhe në atë privat, ndërsa shteti rimburson të gjithë koston e diagnozës, pavarësisht se ku realizohet trajtimi. Në praktikë, kjo skemë është shndërruar në një burim të qëndrueshëm të ardhurash për spitalet private, ndërsa shërbimet në sistemin publik janë zbehur ose janë zhdukur krejtësisht, në funksion të një oligarkie të mirëpërcaktuar.
“Ne kemi pasur shërbime në sistemin shtetëror që sot nuk ofrohen më fare, siç është rasti i transplantit. Paketat u miratuan në vitin 2015, pra 10 vite më parë, dhe sot shohim se shumë nga këto shërbime që kryheshin në publik kanë rënë. Pyetja është pse?”, ka deklaruar zv.dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Ilir Alimehemti.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, institucioni më i madh shëndetësor në vend, prej vitesh nuk arrin të realizojë tromb-ektominë, një ndërhyrje jetike që konsiston në heqjen e mpiksjes së gjakut nga arteria e bllokuar në tru. Ky problem, i denoncuar edhe më herët nga emisioni “Inside Story”, vazhdon të mbetet pa zgjidhje.
Si pasojë, pacientët që pësojnë goditje në tru mund të shtrohen në QSUT, por në momentin që kanë nevojë për ndërhyrjen jetëshpëtuese, detyrohen t’i drejtohen Spitalit Amerikan. Situata bëhet edhe më skandaloze kur merret parasysh fakti se aty shërbejnë mjekë të trajnuar në sistemin publik, të cilët duhej ta kryenin këtë ndërhyrje pikërisht në QSUT.
Kostoja e tromb-ektomisë varion nga 18 deri në 20 mijë euro, pa llogaritur ditët e shtrimit që kushtojnë qindra euro për çdo ditë, si dhe shpenzimet për medikamentet. Për qytetarët që nuk e përballojnë këtë shumë, mungesa e shërbimit publik kthehet në një dënim fatal. Ky shërbim është orientuar qëllimisht drejt rrjetit spitalor privat të zotëruar nga biznesmeni Klodian Allajbeu.
Transplanti i veshkave është një tjetër shërbim që është zhdukur nga spitalet publike. Në vitet 2021 dhe 2022 janë realizuar gjithsej 36 transplante, të gjitha në sektorin privat, konkretisht në Spitalin Amerikan dhe Hygeia. Referuar çmimit të përcaktuar nga Fondi, kjo paketë kushton rreth 1.2 milionë lekë për çdo pacient, një shërbim që kryhet vetëm në privat, ndonëse shteti ka investuar miliona euro për sallat e transplantit në spitalet publike. Paratë publike, në këtë rast, përfundojnë sërish në të njëjtën dorë.
Dializa përfaqëson ndoshta shembullin më të qartë të kthimit të shëndetësisë në një biznes të garantuar për privatët. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2022, janë realizuar gjithsej 193,878 seanca hemodialize, nga të cilat vetëm 5.5% në sistemin publik, ose 10,766 seanca. Ndërkohë, 119,830 seanca janë kryer nga spitalet private Spitali Amerikan dhe Hygeia.
Të dy këto struktura, të zotëruara nga biznesmeni Klodian Allajbeu, kanë mbuluar 61.8% të totalit të seancave të dializës. 32.7% e rasteve të tjera janë ofruar nga koncensionari Dia Vita SHPK, gjithashtu e themeluar dhe e zotëruar nga Allajbeu, pavarësisht disa lëvizjeve të mëvonshme në aksioneri, të cilat dyshohet se kanë shërbyer për të fshehur gjurmët përballë hetimeve të Autoritetit të Konkurrencës.
Sipas një raporti të këtij institucioni, që ka analizuar ofrimin e paketave shëndetësore deri në vitin 2019, që nga momenti kur nisi paketa e dializës, tregu është zhvendosur në mënyrë të qartë drejt spitaleve private. Raporti thekson se tregu i dializës ka një nivel shumë të lartë përqendrimi, me tipare të qarta oligopolistike.
Edhe pse treguesit e përqendrimit kanë shënuar një rënie të lehtë gjatë viteve 2017–2019, pjesa e tregut e tre operatorëve më të mëdhenj ka vijuar të rritet. Në strukturën aktuale, shërbimi i dializës ofrohet pothuajse tërësisht nga sektori privat dhe koncesionar, ndërsa në sistemin publik mbetet i kufizuar vetëm pranë QSUT-së.
Ky përqendrim nënkupton edhe një rrjedhë të sigurt financiare, pasi pagesat kryhen nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, pra drejtpërdrejt nga taksat e qytetarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



