Si u zbuluan milionat e mashtruesit spanjoll të kriptomonedhave
Gjykata e Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 30 milionë euro, të cilat i përkasin Álvaro Romillo Castillo-s, i njohur në Spanjë si “CryptoSpain”. Veprimet janë kryer në kuadër të hetimeve për pastrim parash, sipas nenit 287 të Kodit Penal shqiptar, që parashikon ndëshkimin për fshehjen, shndërrimin apo transferimin e pasurive me origjinë të paligjshme.
Operacioni Kapitali, i zhvilluar në Dhërmi, u koordinua nga Seksioni i Hetimit të Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Hetimi u fokusua në identifikimin dhe sigurimin e pasurive të dyshuara si të fituara në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrimet përfshijnë dy parcela toke bujqësore me sipërfaqe 13.6 dhe 9.5 hektarë, tre shoqëri tregtare, një Toyota Land Cruiser, një Mercedes-Benz AMG G 63 dhe një numër llogarish bankare. Përveç Romillo-s, të përfshirë në hetim janë edhe babai i tij, Domingo Romillo Iriarte, dhe partnerja e tij, rumunja Mihaela Munteanu Manole.
Hetimi ka dokumentuar përdorimin e tre kompanive – Wingwort, Wortend dhe Wortnova – të cilat shërbenin si mbulesë për aktivitetet e paligjshme, duke blerë pasuri me çmime shumë më të ulëta se tregu real dhe duke përdorur kontrata të dyshimta me shoqëri jashtë vendit, përfshirë Bullgarinë, Sllovakinë dhe juridiksione offshore si Labuan.
Dhërmiu, ku u kryen sekuestrimet, është pjesë e Rivierës Shqiptare, një zonë e njohur për vlerën e lartë turistike dhe imobiliare, ku aktiviteti i pastrimit të parave mund të kamuflohet lehtësisht pas kontratave dhe investimeve turistike.
Álvaro Romillo aktualisht në paraburgim në Spanjë
Romillo ndodhet në paraburgim në Spanjë, në pritje të vendimit të gjykatës për zhvillimin e gjyqit ndaj tij dhe personave të tjerë të përfshirë në një nga mashtrimet më të mëdha të dyshuara në fushën e kriptomonedhave përmes platformës Madeira Invest Club (MIC). Sipas hetimeve spanjolle, vlera e mashtrimit mund të kalojë 250 milionë euro, me mbi 3,000 viktima.
Hetimi tregon një skemë të ngjashme me piramidat financiare, ku fitimet e investitorëve të hershëm dyshohet se financoheshin nga kontributet e investitorëve të rinj, pa aktivitet real investimi. Çështja ka një dimension ndërkombëtar, me flukse financiare në juridiksione të ndryshme, ku Shqipëria përfaqëson vetëm një nga rastet.
Procedimi gjyqësor në Shqipëri ndodhet aktualisht në fazën ndërmjetëse, ndërsa autoritetet vijojnë lokalizimin e aseteve dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore. Rasti “CryptoSpain” pritet të shërbejë si precedent në ndjekjen e mashtrimeve që lidhen me investimet digjitale dhe kriptomonedhat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



