Si u zhduken 2,546 m² truall shtetëror nga konviktet për Lilon
Skema e dyshuar e tjetërsimit të tokës publike në favor të “Arlis Ndërtim”: auditimi zbulon zhdukjen e 2,546 m² truall shtetëror
Ndërkohë që një zjarr përfshiu kompleksin në Rrugën e Dibrës, dokumente zyrtare të administruara nga redaksia hedhin dritë mbi një mekanizëm të dyshuar për tjetërsimin e pronës publike në funksion të ndërtimit privat nga kompania “Arlis Ndërtim”, në pronësi të Armand Lilo.
Një audit i Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën 2017–2019 evidenton një seri veprimesh administrative dhe ndryshimesh në dokumentacion që çuan në zhdukjen e 2,546 m² truall shtetëror, pjesë e aseteve të Rezidenca Studentore Universitare Nr. 2, shoqëri në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Auditi ka krahasuar planet e vitit 2014 me ato të vitit 2018. Rezulton se nga 16,015 m2 që duhet të ishin në pronësi të “RSU Nr.2”, sipërfaqja zbriti në 13,469 m2. Diferenca, 2,546 metër katrorë, nuk jusftifikohet në asnjë dokument. Gjithçka ndodhi pas hyrjes në lojë të kompanisë “Arlis Ndërtim”. Dhe kjo sipërfaqje me vlerë marramendëse avulloi nga regjistrat shtetërore për t’u bërë pjesë e sheshit të ndërtimit të pallateve të Armand Lilos. Dëmi, sipas KLSH, përllogaritet të jetë 74,092,234 lekësh. Shuma përfaqëson vlerën e truallit që iu hoq studentëve dhe iu la në dispozicion ndërtuesit për të rritur koeficientin e shfrytëzimit të territorit.

“Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve nr. 2 SHA që më vonë u quajt “Rezidenca Studentore Universitare” ka pasur troje dhe objekte në administrim, të cilat nuk përputhen me sipërfaqet e mëvonshme pas marrjes së lejes së ndërtimit nga “Arlis Ndërtim”. Konkretisht, tek Godinat e Inxhinierisë së Ndërtimit, janë marrë Certifikatat Hipotekare për 9,444 m2 truall, dhe pjesët ndërtimore përkatëse. Godina nr. 1 Mjekësi me numër pasurie 7/272 ka qenë në proces gjyqësor për një sipërfaqe truall prej 2,336 m2, e cila krijon mbivendosje. Godina nr. 2 Mjekësi me numër pasurie 10/48, ka rezultuar me mbivendosje në zërin truall, nga 2,425 m2 të reflektuara në sistemin elektronik të të dhënave, IPS të Kadastrës, në 883 m2 të kërkuara për hipotekim. Kaldaja e Godinës nr. 2 Mjekësi, me numër pasurie 10/212, ka rezultuar me mospërputhje mes planeve rilevuese të vitit 2014 dhe ato të paraqitura nga RSU nr. 2 të ZVRPP Tiranë në vitin 2018, në sipërfaqen truall nga 161 m2 kërkuar në datën 14.04.2014 me shkresën prot. nr. 990, në 110 m2 të kërkuar në vitin 2018 nga shoqëria “ARLIS NDËRTIM SHPK” si barrë hipotekare ndaj kësaj pasurie. Nuk ka informacion të saktë për truallin në Godinën nr. 3 mjekësi me numër pasurie 10/45, dhe Godinën nr. 4 mjekësi me numër pasurie 10/13, por RSU nr. 2 pretendon në ZVRPP Tiranë 413 m2 truall për pronën 10/45 dhe 283.6 m2 truall për pronën 10/13. Shuma e sipërfaqeve të truallit të përllogaritura nga kërkesat, ndaj ZVRPP Tiranë, përfshirë Certifikatat e lëshuara dhe çështjet në proces gjyqësor shkon në 13,469 m2, nga 16,015 m2 të paraqitura në General-planet e vitit 2014. Diferenca prej 2,546 m2 nuk justifikohet se ku ndodhet nga RSU nr. 2 SHA. Vlera e përllogaritur sipas VKM nr. 89, datë 03.02.2016, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, ku për Tiranën, Zona Kadastrale 8120, në zonën nr. 2, vlera është 29,106 lekë/m². Në total Vlera prej 74,092,234 lekë përbën efekt negativ financiar për buxhetin e shoqërisë.
Manipulimi i sipërfaqeve dhe reduktimi fiktiv
Sipas auditit, procesi ka nisur me ndryshimin e sipërfaqeve në dokumente. Trualli ku ndodhej ish-kaldaja e godinave të Mjekësisë, nga rreth 1,765 m², është reduktuar fillimisht në 100 m² dhe më pas në 138 m². Kjo ndërhyrje ka shërbyer për të ulur vlerën reale të pronës dhe për të lehtësuar kalimin e saj në funksion të ndërtimit privat.
Nga krahasimi i planeve të vitit 2014 me ato të vitit 2018 rezulton se sipërfaqja totale e RSU Nr. 2 ka rënë nga 16,015 m² në 13,469 m². Diferenca prej 2,546 m² nuk justifikohet në dokumentacion zyrtar.
Dëmi ekonomik dhe zhdukja nga regjistrat
Audituesit evidentojnë se kjo sipërfaqe është zhdukur nga regjistrat shtetërorë dhe është përfshirë në gjurmën e ndërtimit të kompleksit privat. Sipas përllogaritjeve mbi bazën e VKM nr. 89, vlera e dëmit arrin në 74,092,234 lekë.
Në disa prona konkrete janë konstatuar mbivendosje dhe mospërputhje të theksuara në të dhëna kadastrale, përfshirë godinat e Mjekësisë dhe Inxhinierisë, ku sipërfaqet reale dhe ato të deklaruara ndryshojnë ndjeshëm.
Rasti i kaldajës dhe marrëveshja e diskutueshme
Një nga rastet më domethënëse është ai i kaldajës së godinës nr. 2. Sipërfaqja e saj është reduktuar nga 161 m² në 110 m² dhe më pas është përdorur si barrë hipotekore nga kompania ndërtuese.
Më 10 janar 2018, është nënshkruar një marrëveshje mes RSU Nr. 2 dhe “Arlis Ndërtim”, ku shteti ka dhënë:
- 110 m² truall
- një ndërtesë prej 84 m² (kaldaja)
Në këmbim është përfituar një ambient mensë prej vetëm 70 m² në katin e tretë të godinës private. Auditimi ngre dyshime se kjo marrëveshje ka qenë fiktive dhe ka shërbyer si mbulesë për transferimin e pronës publike.
Leja e ndërtimit dhe përfshirja e pronës publike
Leja e ndërtimit e dhënë nga Bashkia Tiranë për “Arlis Ndërtim” përfshin sipërfaqe që, sipas të dhënave të Agjencia Shtetërore e Kadastrës, i përkisnin RSU Nr. 2 që prej vitit 2014. Këto sipërfaqe janë njohur si pjesë e truallit privat në lejen përfundimtare.
Përgjegjësitë dhe vendimmarrja
Në dokumente përmenden disa funksionarë publikë që kanë marrë pjesë në proces:
- Erion Veliaj – në cilësinë e përfaqësuesit të aksionerit publik përmes Bashkisë Tiranë
- Dhurata Shamia Frashëri – kryetare e Këshillit Mbikëqyrës, e cila ka firmosur vendimin nr. 88 (17.11.2018) për dhënien e pronës
- Zhanina Dapi – administratore e RSU Nr. 2, përgjegjëse për administrimin e aseteve
- Ditjon Baboçi – ish-drejtor i Urbanistikës, firmëtar i lejes së ndërtimit
- Viron Bezhani – ish-administrator
Sipas auditit, vendimi për transferimin e pronës është marrë në kundërshtim me ligjin nr. 139/2015 dhe jashtë kompetencave të organeve përkatëse, duke shmangur vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak.
Konkluzioni i auditit
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se strukturat publike kanë vepruar në mënyrë të koordinuar për të mundësuar kalimin e pronës shtetërore në funksion të interesave private, duke e trajtuar RSU Nr. 2 si një instrument për pastrimin e pengesave pronësore për ndërtuesin.
Çështja ngre dyshime për një skemë të organizuar me pasoja të rënda financiare dhe kërkon hetim të thelluar nga organet kompetente, përfshirë SPAK.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



