Siguria, rrezik real në jetën e përditshme në familjet shqiptare
Kanabizimi, droga dhe trafiku i lëndëve narkotike në çdo cep të vendit kanë bërë që Shqipëria dhe shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve, ta shohin sot atdheun e tyre si një kampion të prodhimit dhe transportit të drogës.
A mendon ky kryeministër dhe kjo qeveri për përgjegjësinë që kanë përballë qytetarëve, kur kanabizimi i vendit po shkatërron rendin, sigurinë dhe jetesën normale të shqiptarëve të ndershëm?
Në një vend ku krimi, droga, mungesa e drejtësisë, varfëria dhe pasiguria janë bërë pjesë e përditshmërisë, qytetarët e ndershëm e ndjejnë çdo ditë se jeta dhe prona e tyre nuk janë më të mbrojtura.
Çdo ditë e më shumë, shqiptarët po kërkojnë rrugë për t’u larguar nga vendi. Kush do t’i zëvendësojë këta njerëz që po ikin? A do ta mbushim Shqipërinë me të huaj që rekrutohen si mercenarë të pasigurisë dhe terrorit?
Papunësia në rritje, mungesa e perspektivës, varfëria dhe ikja masive e të rinjve dhe intelektualëve po e zbehin çdo ditë më shumë shpresën për të ardhmen. Niveli i ulët ekonomik i familjeve shqiptare është një plagë që thellon pasigurinë dhe varësinë ndaj sistemit të korruptuar.
Mungesa e investimeve të huaja dhe vendase, falimentimi i bizneseve të ndershme dhe monopolizimi i ekonomisë nga klanet politike e mafioze, kanë goditur rëndë strukturën e ekonomisë kombëtare dhe sigurinë publike.
Ndërkohë, rendi publik drejtohet nga njerëz të akuzuar për lidhje me krimin dhe drogën, ndërsa shumë drejtues të Policisë së Shtetit janë ende nën hetim apo në arrati. Kjo gjendje është një alarm i hapur për kolapsin institucional të shtetit.
Shqipëria duhet të jetë vendi i shqiptarëve, për të jetuar, punuar dhe investuar në mënyrë të ndershme. Edhe pse jemi një vend i vogël e i varfër, duhet ta ruajmë dinjitetin europian dhe të kërkojmë të jetojmë me standarde europiane në tokën tonë.
Por korrupsioni që ka zënë rrënjë në çdo nivel të administratës është kthyer në kërcënimin më të madh për sigurinë kombëtare, sepse shkatërron shpresën, vullnetin dhe motivimin për të punuar e jetuar në Shqipëri.
Sot, vjedhjet, tritoli, vrasjet, plagosjet, dhuna ndaj grave, aksidentet, presioni mbi median dhe gjobat ndaj bizneseve janë bërë përditshmëri. Këto fenomene nuk janë më thjesht lajme kronike, por shenja të qarta të kolapsit të sigurisë publike.
Në këtë realitet, siguria e çdo familjeje shqiptare është realisht në rrezik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



