Skandal! Mbi 300 familje pa ujë të pijshëm në Kreshpan të Fierit
Prej vitesh, qindra banorë të fshatit Kreshpan në Fier përballen me një problem jetik: mungesën e ujit të pijshëm. Edhe pse janë korrektë me pagesat mujore, familjet deklarojnë se shërbimi i furnizimit me ujë pothuajse nuk ekziston.
Situata është rënduar ndjeshëm gjatë dy muajve të fundit. Sipas banorëve, uji në rubinetat e tyre vjen vetëm për pak minuta në ditë, ndërsa në disa zona mungon plotësisht. Kjo ka detyruar familjet të gjejnë mënyra alternative për të siguruar ujin, duke përdorur mjete bujqësore apo edhe kafshë transporti.
Burimet ujore që përdoren aktualisht janë drejt shterimit, ndërsa një pjesë e banorëve detyrohen të blejnë ujë nga autobotët privatë, duke rënduar më tej kostot e jetesës.
Banorët shprehen se furnizimi aktual është minimal dhe i papërballueshëm për nevojat bazë. Në shumë raste, një familje merr vetëm 20 deri në 30 litra ujë në ditë, një sasi e pamjaftueshme për konsum dhe higjienë.
Ata theksojnë gjithashtu se infrastruktura ekziston pjesërisht, pasi tubacionet janë shtruar prej kohësh, por mungon funksionalizimi i plotë i sistemit. Problemi kryesor mbetet lidhja me stacionin e pompimit dhe shpërndarja e ujit në të gjitha lagjet e fshatit.
Në këto kushte, ndërsa temperaturat janë në rritje dhe kërkesa për ujë bëhet edhe më e madhe, banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për të zgjidhur situatën. Ata kërkojnë furnizim të rregullt dhe të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, si një e drejtë bazë jetike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



