Skandal pas skandali, çahet aksi turistik Boboshticë-Dardhë
Një tjetër segment rrugor në juglindje të vendit është dëmtuar seriozisht, duke ngritur shqetësime për sigurinë e qarkullimit dhe cilësinë e punimeve infrastrukturore. Bëhet fjalë për rrugën turistike Boboshticë–Dardhë, në qarkun e Korçë, ku është konstatuar një çarje anësore në trupin e rrugës.
Dëmtimi ka kufizuar lëvizjen e automjeteve në një korsi, duke detyruar drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë segment. Rruga është një nga arteriet kryesore që lidh qytetin e Korçës me fshatin turistik Dardhë, një destinacion i frekuentuar gjatë gjithë vitit nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Pas evidentimit të dëmtimit, përfaqësues të autoriteteve rrugore kanë shkuar në terren për të vlerësuar situatën dhe për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme për stabilizimin e segmentit. Ndërkohë, në zonë është vendosur sinjalistikë kufizuese për të paralajmëruar drejtuesit e mjeteve dhe për të shmangur rrezikun e aksidenteve.

Kjo situatë vjen në një kohë kur disa akse rrugore në juglindje të vendit janë përballur me probleme të ngjashme, si rrëshqitje dherash dhe çarje të asfaltit. Një prej rasteve më problematike është ai në aksin Pogradec–Librazhd, ku dëmtimet e rrugës kanë krijuar vështirësi të mëdha në qarkullim dhe kanë izoluar për ditë të tëra zonën.

Këto zhvillime kanë rikthyer debatet mbi standardet e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore, ndërsa në fokus të kritikave është vënë edhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, lidhur me cilësinë e punimeve dhe procedurat e tenderimit për projektet rrugore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



