Skandal te “Diamma Resort”, stafi dhunon 5 turistët turq (VIDEO)
Arrestohet menaxheri dhe një punonjës, 2 të tjerë nën hetim
Një incident i rëndë është shënuar në zonën bregdetare të Golemit, ku një grup prej pesë turistësh nga Turqia janë përfshirë në një konflikt fizik me punonjës të një resorti turistik.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali brenda resortit “Diamma”, ku turistët po konsumonin ushqim dhe pije. Sipas të dhënave paraprake, përplasja ka nisur pas një debati verbal, pasi stafi u ka kërkuar pushuesve të shmangnin zhurmat shqetësuese. Situata ka degraduar më tej në dhunë fizike, ku janë përdorur edhe sende të forta.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme të policisë, u bë arrestimi në flagrancë i menaxherit të resortit, David Kondo, 33 vjeç, si dhe i punonjësit të plazhit, Eluert Qose, 37 vjeç, të dy banues në Durrës. Ata akuzohen për veprat penale “plagosje e rëndë me dashje” në bashkëpunim dhe “prishje e qetësisë publike”, pasi dyshohet se kanë goditur dy prej turistëve.
Ndërkohë, dy punonjës të tjerë të subjektit, një banakier dhe një roje sigurie, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Sipas policisë, ata dyshohet se kanë ushtruar dhunë dhe kanë kanosur tre shtetas të tjerë turq gjatë konfliktit.
Autoritetet bëjnë me dije se menjëherë pas marrjes së njoftimit për incidentin, shërbimet e Policisë së Plazhit kanë ndërhyrë për të neutralizuar situatën dhe për të identifikuar personat e përfshirë.
Dosja i është referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila ka nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore të secilit prej të përfshirëve.
Njoftimi i policisë
U konfliktuan fizikisht dhe me sende të forta, me 5 pushues turq, arrestohen 2 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë (punonjës në subjektin ku ndodhi konflikti).
Menjëherë pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në një lokal në plazh, në Golem, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve përgjegjës. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit D. K., 33 vjeç dhe E. Q., 37 vjeç, të dy banues në Durrës, përkatësisht menaxher dhe punonjës në hapësirën e plazhit në këtë subjekt, për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, 2 pushues turq;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Kanosja”, për shtetasit I. Sh., 48 vjeç dhe T. D., 49 vjeç, përkatësisht banakier dhe punonjës sigurie në këtë subjekt, pas dyshohet se kanë goditur dhe kanosur 3 shtetas turq.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



