E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandali ‘Balluku’, drejtori i KESH paraqitet në SPAK
Lajme

Skandali ‘Balluku’, drejtori i KESH paraqitet në SPAK

Erald Elezi, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, është shoqëruar sot në SPAK nga policia. Ai ndodhet aktualisht në arrest shtëpie, vendim ky i dhënë nga GJKKO, në kuadër të hetimeve për skandalin e njohur si “Balluku”.

Në këtë hetim janë të përfshirë edhe Belinda Balluku dhe Evis Berberi, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera. SPAK sqaron se procedurat e dyshimta lidhen me prokurimet për Unazën e Madhe dhe tunelin e Llogarasë.

Sipas hetimeve, Balluku në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, përfshirë Evis Berberin, Erald Elezin, Gentian Gjylin, Jetmira Dervishin dhe Mirzeta Kashnicën, dyshohet se kanë paracaktuar fituesit e procedurave të prokurimit dhe kanë krijuar avantazhe të padrejta për operatorët ekonomikë.

Një nga rastet më të mëdha është tenderi për ndërtimin e Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, me fond limit rreth 2.1 miliardë lekë pa TVSH (rreth 20 milionë euro). Hetimet tregojnë se kriteret e këtij tenderi janë vendosur në mënyrë që të favorizojnë kompanitë Euroteorema, Pevlaku dhe NOVA Construction.

SPAK nënvizon se veprimet e dyshuara shkelin ligjin për prokurimin publik nr. 162/2020, VKM nr. 285/2021, si dhe ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave nr. 9367/2005. Përmes këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë, është krijuar një avantazh i padrejtë për bashkimin e operatorëve ekonomikë të përmendur më sipër, duke cenuar parimin e barazisë në tendera.

Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK ka ngritur akuza të reja për shkelje të barazisë në tendera ndaj Ballukut dhe vartësve të saj për rastin e Lotit 4 të Unazës së Madhe. Investigimet përfshijnë edhe komunikimet e brendshme të ministrit dhe të punonjësve të saj, të cilat sipas SPAK, kanë ndihmuar në dokumentimin e paracaktimit të fituesve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.