E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandali i takimeve intime në burg dhe ministër Ulësiu!
Lajme

Skandali i takimeve intime në burg dhe ministër Ulësiu!

Simptomë e korrupsionit që mban ministër  Ulsi Manjën prej 8 vitesh

Publik.al / Albert Mero

Një tjetër episod skandaloz ka tronditur sistemin e drejtësisë shqiptare, duke nxjerrë zbuluar jo vetëm anarkinë që mbizotëron në burgje, por edhe paaftësinë dhe korrupsionin institucional që e ka bërë të paprekshëm Ulsi Manjën në krye të Ministrisë së Drejtësisë prej gati 8 vitesh.

Zv.drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Femi Sufaj, ka pranuar publikisht në një intervistë në media se i dënuari përjetë Laert Haxhiu, një nga figurat më famëkeqe të botës së krimit në Shqipëri, ka zhvilluar takime me një modele nga Kosova Ziza Pajaziti ,në ambientet e sigurisë së lartë të burgut të Reçit.

Megjithëse përflitet se edhe dy vajza të tjera nga showbizi kanë hyrë në burg për takime të ngjashme me të dënuar të rrezikshëm, Sufaj mohon zyrtarisht këto raste. Ai pohon gjithashtu se vetëm gjatë muajit qershor janë kryer 100 takime intime në burgje, sipas ligjit për të drejtat e të dënuarve. Por këtu qëndron pikërisht problemi: ligji po përdoret si mburojë për skema abuzive, për privilegje për kriminelët dhe për çbërjen e autoritetit të sistemit penitenciar në sytë e publikut.

Ky nuk është rasti i parë që institucionet e drejtësisë, nën menaxhimin e Ulsi Manjës, shndërrohen në teatër tragjikomik. Nën drejtimin e tij, burgjet shqiptare janë kthyer në vende ku krimi komandon, korrupsioni gëlon dhe drejtësia imiton transparencën. Në vend që të reformojë sistemin, Manja ka ndërtuar një rrjet klientelist që e mban peng Ministrinë e Drejtësisë përmes emërimesh politike, tenderash të dyshimtë dhe marrëveshjesh të heshtura me segmentet e krimit të organizuar.

Qytetarët kanë parë me sy të lirë si të burgosur të rrezikshëm shijojnë privilegje në kundërshtim me etikën dhe sigurinë e një institucioni korrektues. Nga përdorimi i telefonave në qeli, festa brenda mureve të burgut, deri tek takimet me personazhe publikë, të dënuarit me burgim të përjetshëm shijojnë luksin që qytetarëve të lirë u mohohet në një vend të zhytur në varfëri.

Pse e mban Rama?

Përkundër gjithë dështimeve, skandaleve dhe paralajmërimeve nga organizata vendase dhe ndërkombëtare, Edi Rama ka zgjedhur ta mbajë Ulsi Manjën si ministër të Drejtësisë për gati një dekadë. Arsyet janë të qarta: Manja nuk është reformator, por garantues i kontrollit politik mbi drejtësinë, njeriu që siguron që gjërat të mos lëvizin më shumë sesa duhet dhe që kontrollon hallkat e sistemit nga Kukësi në Lushnje.

Por ky kontroll po e fundos drejtësinë. Në vend të transparencës dhe drejtësisë, kemi show. Në vend të reformës, kemi statukuo. Në vend të ligjit, kemi marrëveshje në prapaskenë.

A do ketë ndonjëherë përgjegjësi?

Rasti i Laert Haxhiut dhe takimeve me modele është vetëm maja e ajsbergut. Pyetja që shtrohet është: Sa të dënuar të rrezikshëm po përfitojnë nga ky sistem i korruptuar që Manja mban në këmbë? Dhe më tej: A ka kush që do të japë llogari për degradimin e autoritetit të shtetit?

Për momentin, duket se jo. Sepse kur qeveria nuk kërkon llogari, skandali bëhet normë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.