Skandali i Vlora Hysenit, të hënën mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do të thërrasë të hënën në orët e paradites Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në një mbledhje që zhvillohet në një moment të rëndësishëm për institucionet e sigurisë së vendit.
Në qendër të diskutimeve pritet të jetë situata e krijuar pas vendimit të SPAK dhe GJKKO për vendosjen në arrest shtëpie të ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, si edhe zhvillimet që lidhen me funksionimin e strukturave të sigurisë kombëtare.
Mbledhja është thirrur nga kreu i shtetit pas një serie takimesh me drejtues të institucioneve kryesore të sigurisë. Gjatë ditës së djeshme, Presidenti Begaj priti në Presidencë ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Në një tjetër takim, kreu i shtetit zhvilloi bisedë me drejtorin e komanduar të SHISH, Elvis Lila. Presidenca njoftoi se gjatë takimeve Begaj u informua dhe diskutoi mbi çështje që lidhen me aktualitetin dhe situatën e sigurisë në vend.
Seria e takimeve dhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare vijnë pas vendimit për vendosjen e Vlora Hysenit në arrest shtëpie, si dhe shkarkimit të saj nga drejtimi i Shërbimit Informativ Shtetëror.
Hyseni nën hetim nga SPAK
Vlora Hyseni është vënë nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme për “zbulim të të dhënave sekrete” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Vendimi për masën e sigurisë dhe largimi i saj nga drejtimi i SHISH kanë sjellë vëmendje të shtuar mbi mënyrën e administrimit dhe mbrojtjes së informacionit të klasifikuar, si dhe mbi funksionimin e strukturave të sigurisë kombëtare.
Pikërisht në këtë kontekst, Presidenti Bajram Begaj ka thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku pritet të diskutohet situata e krijuar dhe zhvillimet e fundit që kanë prekur një prej institucioneve kryesore të sigurisë së vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



