Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet paraprake për një aferë të dyshuar me përmasa të rënda korrupsioni dhe shkeljesh mjedisore, duke çuar për gjykim 13 persona të akuzuar për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe shkelje të rënda të ligjit mbi mbetjet e rrezikshme.
Në qendër të dosjes që trondit institucionet shtetërore dhe kompanitë private që operojnë në sektorin e menaxhimit të mbetjeve, janë tre administratorë biznesesh: Elvis Miri i kompanisë “Vale Recycling” shpk, Elidiana Shehu e “EMC” shpk dhe Laert Shehu i “Swot” shpk.
Elvis Miri dhe skema e mashtrimit me tenderat spitalorë
Emri më i rëndë në këtë dosje është ai i Elvis Mirit, i arrestuar në qershor të vitit të kaluar. Sipas prokurorisë, ai ka përfituar mbi 65 milionë lekë nga tendera publikë, kryesisht në spitale shtetërore, për riciklimin e mbetjeve spitalore, duke përdorur dokumente të falsifikuara, pa pasur në realitet pajisjet që pretendonte.
Hetimi ka provuar se kompania “Vale Recycling” ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderimi që nga viti 2016, ku ka deklaruar në mënyrë të rreme se kishte në dispozicion një pajisje të avancuar për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore – një sistem të quajtur “Econos TC 150” – por që realisht e ka blerë vetëm në fillim të vitit 2024.
Ekspertët mjedisorë që mbuluan mungesat teknike
Në skemën mashtruese janë përfshirë edhe Elidiana Shehu dhe Laert Shehu, administratorët e dy kompanive të ekspertizës mjedisore, të cilët, sipas akuzës, ndihmuan Elvis Mirin të falsifikonte raportet e vetëmonitorimit, duke mbuluar mungesat teknologjike dhe duke lehtësuar dhënien e lejeve mjedisore të tipit A dhe B, pa përmbushur kushtet ligjore.
10 zyrtarë të institucioneve shtetërore të pandehur për shpërdorim detyre
Përveç përfaqësuesve të kompanive private, prokuroria ka marrë të pandehur edhe 10 zyrtarë dhe inspektorë të institucioneve mjedisore, me inicialet: J.Sh., E.P., A.M., N.D., T.P., B.S., A.K., B.L., I.B., dhe K.A. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi kanë kryer inspektime fiktive, kanë pranuar dokumentacion të manipuluar dhe nuk kanë verifikuar kushtet reale në terren.
Sipas prokurorisë, gjatë periudhës 2017–2022, “Vale Recycling” ka fituar mbi 30 tendera, pavarësisht mungesës së pajisjeve të kërkuara ligjërisht dhe në shkelje të kritereve të rrepta për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme.
Prokuroria: Skemë bashkëpunimi mes privatëve dhe zyrtarëve shtetërorë
“Nga analiza e të dhënave rezultoi një skemë e gjerë bashkëpunimi ndërmjet subjekteve private dhe funksionarëve publikë, e cila shfrytëzonte falsifikimin e dokumenteve dhe inspektimet fiktive për të përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore”, – thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Tiranës.
Në total, të akuzuarit përballen me akuza për:
- Falsifikim të dokumenteve, në bashkëpunim (neni 186/3 i Kodit Penal)
- Shpërdorim detyre
- Keqmenaxhim të mbetjeve
- Aktivitete të rrezikshme për mjedisin
Rasti nisi nga një denoncim televiziv
Hetimi u nxit fillimisht nga një denoncim i emisionit “Stop”, që solli në vëmendjen publike dyshimet për abuzim me trajtimin e mbetjeve spitalore. Më pas, organi i akuzës ndërmori një hetim të thelluar që ekspozoi mangësitë e sistemit të kontrollit mjedisor në Shqipëri dhe bashkëpunimin e dyshimtë mes interesave klienteliste dhe institucioneve publike.
Të gjithë të pandehurit gëzojnë prezumimin e pafajësisë, deri në një vendim përfundimtar nga gjykata kompetente.
Ky është një ndër rastet më domethënëse që nxjerr në pah dobësitë e sistemit të kontrollit mjedisor dhe korrupsionin që gërryen proceset publike në sektorë jetikë si shëndetësia dhe mbrojtja e mjedisit. Publik.al do të vijojë ndjekjen e këtij procesi gjyqësor dhe do të informojë për zhvillimet më të fundit.