Skandali në Serbi, Vuçiç dhe i vëllai nën akuza për korrupsion
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe vëllai i tij, Andrej, përmenden sërish në komunikimet e reja të aplikacionit SKY, ku dyshohet për korrupsion të nivelit të lartë dhe ndikim mbi sistemin e drejtësisë në favor të grupeve kriminale.
Pakot e SKY-t, të ardhura nga Europol në Serbi, tregojnë lidhje mes narko-kartelit të Darko Shariq dhe figurave të pushtetit, ndërsa Ministria e Brendshme akuzohet se po mban informacionin jashtë Prokurorisë për Krim të Organizuar (TOK). Ndërkohë, qeveria po shtyn ndryshime ligjore që mund ta dobësojnë këtë prokurori para nisjes së hetimeve që mund të përfshijnë edhe vëllezërit Vuçiç.
Sipas dokumenteve të rrjedhura, në komunikimet SKY të grupeve kriminale serbe, Aleksandar Vuçiç përmendet me nofkën “Oskar”, vëllai i tij Andrej, ish-ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviq (“Edo”) dhe zyrtari i BIA-s, Marko Parezanoviq (“Markus”).
Burime nga hetimet tregojnë se grupi i Darko Shariq diskutonte mënyra për të ndikuar vendimet gjyqësore përmes Aleksandar Vuçiçit. Në një mesazh të 26 majit 2020, vëllai i Shariqit, Dushko, shkruan:
“E vetmja rrugë reale është përmes Markusit drejt Oskarit. Vetëm ai mund ta zgjidhë këtë punë… të tjerët nuk munden.”
Komunikime të tjera, të publikuara nga media malazeze Vijesti, tregojnë se dëshirat e rrjetit kriminal, përfshirë uljen e dënimeve të Shariqit, janë realizuar më pas në gjykatat serbe.
Dokumentet e reja, të cilat Ministria e Brendshme ende nuk ia dorëzon TOK-ut, lidhen me përdorimin e institucioneve shtetërore për mbrojtjen e rrjeteve kriminale dhe korrupsion të nivelit të lartë. Vendime gjyqësore si rrëzimi i dënimeve të mëparshme të Shariqit, largimi i gjyqtarit Milimir Lukiq nga rasti dhe vendosja e të pandehurit në arrest shtëpie po vlerësohen si të sinkronizuara me interesat e rrjetit kriminal dhe të një pjese të pushtetit politik.
Burime brenda prokurorisë dhe policisë pohojnë se ekziston frikë reale se TOK-u mund të ndërmarrë veprime kundër figurave të larta nëse paketa e re e SKY-t përfshihet në hetime. Pikërisht për këtë arsye, pushteti ka nisur procedurat për ndryshimin e ligjit, me synimin e shndërrimit të TOK-ut në një departament të zakonshëm nën Prokurorinë e Lartë të Beogradit, çka mund të bllokojë çdo hetim që prek figura të larta politike, përfshirë vëllezërit Vuçiç.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



