Skandali! Sori.Al helmon sërish studentët e Akademisë së Sigurisë
Skandali me ushqimet në Akademinë e Sigurisë vijon të mbetet alarmant, pasi një tjetër rast i dyshuar helmimi është raportuar mbrëmjen e djeshme. Sipas informacioneve, rreth 30 studentë kanë shfaqur simptoma të forta si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke.
Mësohet se studentët janë ndarë në grupe dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa gjendja e tyre po monitorohet. Akademia e Sigurisë siguron për studentët të tre vaktet ushqimore përmes një kompanie kateringu, konkretisht “SORI-Al”.
Ky nuk është rasti i parë. Më 7 maj 2026, 52 studentë përfunduan në spital me shenja helmimi, ndërsa raportimet e kohës e çuan numrin e të prekurve në 56. Të gjithë kishin konsumuar vaktin e drekës në ambientet e akademisë.
Pas atij incidenti, Policia arrestoi kuzhinierin dhe teknologen e ushqimit Kristjana Plaka, ndërsa një tjetër teknologe u hetua në gjendje të lirë. Nga analizat laboratorike të mostrave rezultoi se ushqimi, konkretisht makaronat, ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ndërhyri duke bllokuar aktivitetin e kompanisë së kateringut “SORI-Al”, në pronësi të Alma Tafanit, si dhe vendosi një gjobë prej 1.5 milionë lekësh për shkelje të rënda të kushteve higjieno-sanitare dhe tregtim të ushqimit të pasigurt.
Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë, kompania rifilloi aktivitetin pasi analizat e mëtejshme mbi higjienën e ambienteve dhe pajisjeve të punës rezultuan brenda normave të lejuara.
Rasti i fundit ka rikthyer shqetësimet mbi sigurinë ushqimore në institucionet publike dhe ka ngritur pikëpyetje mbi kontrollin dhe standardet që duhet të garantojnë shëndetin e studentëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



