Skandali! Trondit ministrja serbe: Do e kisha spastruar etnikisht Kosovën
Një deklaratë e fortë dhe thellësisht shqetësuese ka ardhur nga ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezana Paunoviç, e cila ka rikthyer në vëmendje retorikën më të ashpër ndaj Kosovës.
Gjatë një interviste për median serbe “Kurir”, ajo u shpreh se, nëse do të kishte qenë në pozicionin e ish-presidentit Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do të kishte ndërmarrë masa për spastrimin etnik të Kosovës. Sipas saj, kjo do të ishte forma më ekstreme e veprimit që mund të imagjinohej në atë kohë.
Në vijim të deklaratës, Paunoviç tentoi ta relativizojë qëndrimin e saj, duke shtuar se nuk e kishte fjalën për eliminim fizik, por për një situatë ku shqiptarët nuk do të ndiheshin më pjesë e Serbisë dhe do të zhvendoseshin drejt shtetit që ajo e konsideron si vendin e tyre amë.
Kjo deklaratë ka nxitur reagime të forta për shkak të ngarkesës historike dhe politike që mbart, duke rikthyer në diskurs publik terminologji dhe ide që lidhen me periudhat më të errëta të konfliktit në Kosovë.
Ministrja serbe njihet për qëndrimet e saj të vazhdueshme kundër Kosovës. Kujtohet se në vitin 2022, në cilësinë e nënkryetares së Kuvendit të Serbisë, ajo kishte bërë thirrje për arrestimin dhe dëbimin e deputetit shqiptar Shaip Kamberi, duke shtuar edhe më tej tensionet politike dhe etnike në rajon.
Deklarata e fundit pritet të thellojë debatet dhe reagimet, si në nivel rajonal ashtu edhe ndërkombëtar, duke rikthyer në fokus çështjet e pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



