Skandali ushqimor, zhduken 95 tonë misër me Aflatoksinë B1
Sula: Dyshohet se është hedhur në treg
Një skandal i rëndë ushqimor është zbuluar në Qarkun e Shkodrës, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konstatuar importimin e një sasie prej rreth 104 ton misër rifuxho të kontaminuar me Aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara.
Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, deklaroi se nga verifikimet rezulton se sasia e importuar nga subjekti “MODI” sh.p.k. ishte e përzier dhe pa gjurmueshmëri të plotë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar më 4 mars 2026, në magazinë janë gjetur vetëm 9.5 ton, duke ngritur dyshime të forta për lëvizje të paligjshme të pjesës tjetër të produktit.
Sipas Sulës, ekzistojnë indicie serioze që një pjesë e kësaj sasie është hedhur në treg. Të dhënat nga Tatimet tregojnë se subjekti ka tregtuar rreth 119 ton gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026, çka përforcon dyshimet për shpërndarje të produktit të kontaminuar.
Autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përfshirë bllokimin e sasisë së mbetur, vendosjen e 5 gjobave dhe urdhërimin për asgjësimin e produktit deri më 3 prill 2026. Ndërkohë, rasti është referuar në Prokurori për shkelje penale që lidhen me tregtimin dhe përdorimin e produkteve të pasigurta.
Sula theksoi gjithashtu se janë konstatuar shkelje të rënda nga subjekti, përfshirë prishjen e shenjave të bllokimit dhe mungesën e gjurmueshmërisë. Paralelisht, po verifikohen edhe përgjegjësi institucionale për mosbllokimin e ngarkesës në kufi.
Megjithatë, ai sqaroi se bëhet fjalë për ushqim për kafshë dhe deri tani nuk ka prova për rrezik të drejtpërdrejtë për konsumatorët, duke theksuar se institucionet kanë vepruar me kujdes maksimal për të parandaluar çdo pasojë të mundshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



