Gjendja psikologjike e Edi Ramës ka dalë jashtë kontrollit, teksa futemi në gjysmën e dytë të fushatës elektorale. Dje Rama skandalizoi shqiptarët kur u tha fëmijëve futuni në google dhe të shihnin fotot e tij nudo, ndërsa sot ai ka fyer rëndë njerëzit me aftësi ndryshe. Në një deklaratë publike, Rama u shpreh: “Të zgjedhësh midis BE dhe kënetës, kënetën domethënë nuk je mirë, politikisht je autik, s’je mirë”, duke përdorur termin “autik” në një kontekst përçmues.
Mënyra sesi kryeministri përdori një term që i referohet një çrregullimi neurozhvillimor si fyerje ndaj kundërshtarëve nuk veçse një nga gafat e shumta të diskursit publik të tij.
Autizmi është një spektër çrregullimesh që prek mënyrën sesi individët komunikojnë, ndërveprojnë dhe perceptojnë botën. Ai nuk është një sëmundje, por një mënyrë ndryshe e të qenit, që kërkon mirëkuptim, përkrahje dhe përfshirje shoqërore.
Përdorimi i termit “autik” si sinonim i paaftësisë politike apo mendore nuk është vetëm etikisht i gabuar, por edhe thellësisht diskriminues. Kjo gjuhë jo vetëm që margjinalizon personat me autizëm dhe familjet e tyre, por thellon edhe më tej stigmatizimin me të cilin ata përballen çdo ditë.
Në një vend që synon të afrohet me vlerat europiane të barazisë dhe përfshirjes, është e papranueshme që vetë kreu i qeverisë të banalizojë e të përdorë në mënyrë fyese një term që lidhet me një grup të ndjeshëm të shoqërisë. Të flasësh për autizmin në këtë mënyrë nuk është metaforë, por është mungesë respekti për mijëra qytetarë që jetojnë me këtë realitet.
Duke quajtur “kënetë” çdo zgjedhje që nuk i përshtatet vizionit të tij, Rama nuk përçmon vetëm kundërshtarët, por edhe vetë vullnetin e lirë të qytetarëve. Në vend që të ndërtojë ura për të afruar njerëzit me njëri-tjetrin dhe me Europën, ai i vë flakën urave që duhej të na çonin atje. Në fund të ditës, nuk është “kënetë” ai që mendon ndryshe, por ai që përdor fjalën si armë për të zhbërë çdo vlerë që e bën një shoqëri të civilizuar.
Në një vend që synon të jetë europian jo vetëm me letra, por edhe me kulturë politike, një deklaratë e tillë nuk duhet të kalojë thjesht si gafë – por si shenjë alarmi.
Deklarata e Rames:
“Paguajtën lekët e dynjasë për të paguar Latifin. Më hidhen mua pse them gjysma e burrave janë çyrykë.
Po ça të them, e them si metaforë, nuk është raport klinik. Për mua kush shkon në kënetë është gjysmak. Të zgjedhësh midis BE dhe kënetës, kënetën dmth nuk je mirë, politikisht je autik, s’e mirë”, tha Rama.