E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skema e dyshuar, “zhdukja” e rreme e ish-zyrtarit të AKSHI-t
Lajme

Skema e dyshuar, “zhdukja” e rreme e ish-zyrtarit të AKSHI-t

Pastrimi i parave përmes nënës rrobaqepëse

Në gusht të vitit 2025, në Policinë e Tiranës mbërriti një denoncim i pazakontë për “zhdukjen” e Daniel Shimës, ish-nëndrejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Një denoncim që, me kalimin e kohës, do të rezultonte më shumë një lëvizje strategjike sesa një rast real alarmi.

Deri në atë moment, Daniel Shima kishte vepruar në hije, duke firmosur pa rezerva çdo dokument që i vihej përpara nga drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Madje, edhe para hetuesve, Shima do të deklaronte se procedurat e tenderimit realizoheshin “me porosi të Mirlindës”, duke konfirmuar një marrëdhënie tipike epror-vartës, të bazuar në besim të plotë.

Por, dokumentet dhe faktet e zbuluara më pas tregojnë një panoramë krejt tjetër: ish-nëndrejtori rezulton të ketë qenë një figurë shumë më e fuqishme sesa vetë eprorja e tij.

Biznes milionash në emër të nënës

Sipas dokumenteve zyrtare, Daniel Shima ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me një sërë transaksionesh financiare dhe pronësore, ku në qendër shfaqet nëna e tij, Merita Shima, me profesion rrobaqepëse.

Dyshohet se paratë e përfituara nga tenderat e AKSHI-t, apo haraçi i paguar për sigurimin e procedurave, janë kanalizuar dhe “pastruar” përmes kompanisë “Premium Glass”, e themeluar në vitin 2021 nga Sokol Përllaku, mik i afërt i Daniel Shimës.

Një vit më pas, në vitin 2022, 100% e aksioneve të kompanisë kalojnë në emër të Meritës Shima, për një vlerë simbolike prej vetëm 400 eurosh. Transaksioni e bën rrobaqepësen pronare të vetme të një kompanie që, brenda një kohe shumë të shkurtër, do të qarkullonte qindra mijëra euro.

Prona, leje ndërtimi dhe pallate shumëkatëshe

Pas marrjes së aksioneve, Merita Shima nis blerjen e pronave në Tiranë dhe në zonat bregdetare. Sipas të dhënave nga Kadastra, kompania dhe vetë ajo kanë përfituar prona edhe në zonën e Kasharit, ku më pas janë marrë leje ndërtimi për një godinë 8-katëshe.

Nga këto investime, rezulton se janë ndërtuar dhe përfituar të paktën 9 apartamente dhe 14 poste parkimi, me një vlerë të përafërt rreth 900 mijë euro. Një pasuri që bie ndesh hapur me të ardhurat e deklaruara dhe profilin ekonomik të një rrobaqepëseje.

Ndërkohë, nga njëra anë Daniel Shima firmoste tendera me shuma të mëdha në AKSHI, ndërsa nga ana tjetër, pasuria e familjes së tij rritej në mënyrë marramendëse.

Lëvizje të dyshimta dhe hetim i SPAK

Burime për publik.al bëjnë me dije se, në fund të vitit 2022, Daniel Shima ishte vënë në dijeni për interesimin e Prokurorisë së Posaçme ndaj aktivitetit të tij dhe pasurive familjare. Në këtë periudhë, ai ka udhëzuar nënën që t’ia rikthejë aksionet e “Premium Glass” sërish Sokol Përllakut.

Nëse blerja ishte bërë për 400 euro, shitja u realizua për vetëm 1 000 euro, pavarësisht faktit se kompania zotëronte prona dhe leje ndërtimi me vlera miliona euro. Një transaksion formal, që ngre dyshime serioze për tentativë fshehjeje të pasurisë dhe shmangie nga përgjegjësia penale.

Edhe pas këtij kalimi “me letra”, administrator i kompanisë mbetet një person i besuar i Daniel Shimës, duke forcuar bindjen se kontrolli real mbi kompaninë nuk ka ndryshuar.

Paratë publike dhe përgjegjësia penale

Organet ligjzbatuese, përfshirë SPAK dhe BKH, kanë mundësinë të ndjekin gjurmën e parasë dhe të zbardhin origjinën e këtyre pasurive. Prona të paluajtshme, leje ndërtimi dhe transaksione bankare lënë gjurmë të qarta, të cilat mund të çojnë në konkluzione konkrete.

Redaksia e publik.al do të vijojë të hedhë dritë mbi këtë skemë të dyshuar, ku paratë publike, përmes veprimeve të errëta dhe abuzimit me pushtetin, dyshohet se kanë përfunduar në duart e një rrethi të ngushtë personash, të lidhur fort me institucionet shtetërore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.