E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skema e errët 20 mln € që përmbyti Durrësin
Lajme

Skema e errët 20 mln € që përmbyti Durrësin

Kanale fantazmë dhe hidrovor jashtë funksioni

Një aferë e dyshuar që kap vlerën e rreth 20 milionë eurove del në pah pas përmbytjeve masive që goditën Durrësin në fund të janarit, ku qindra banesa u dëmtuan rëndë. Ndërsa institucionet shtetërore u përpoqën ta justifikojnë situatën me reshjet intensive dhe, sipas tyre, me “papërgjegjshmërinë” e qytetarëve, dokumentet dhe faktet tregojnë një realitet krejt tjetër.

Në vitin 2021, u zhvillua një tender i madh për ndërtimin e kanaleve kryesore të kullimit dhe menaxhimit të ujërave të shiut, me synimin që zonat e ish-Kënetës dhe Spitallës të mos përballeshin më me përmbytje. Sot, pas dëmeve të mëdha, ky investim rezulton jo vetëm i vonuar, por edhe joefektiv.

Sipas të dhënave, fondet e alokuara për këtë projekt dyshohet se janë shpërdoruar. U ndërtua një hidrovor i ri, i pozicionuar larg atij ekzistues, ndërsa kanalet që duhet të çonin ujin drejt tij janë më të gjata, të papërshtatshme dhe, në praktikë, jo funksionale. Për më tepër, cilësia e ndërtimit vihet seriozisht në dyshim, pasi gjatë ditëve kritike të përmbytjeve hidrovorët dyshohet se nuk kanë qenë në punë.

Paradoksi qëndron në faktin se e gjithë vepra vazhdon të jetë ende në fazë “testimi”, ndërkohë që pasojat e këtij testimi po i paguajnë qytetarët me shtëpi të përmbytura dhe dëme të pallogaritshme.

Pyetja që shtrohet është e drejtpërdrejtë: kush mban përgjegjësi për këtë dështim dhe pse një investim i tillë u zvarrit për vite me radhë?

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, procedurat e tenderit janë ndjekur nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako. Ajo ka miratuar dokumentacionin, specifikimet teknike, analizat, si dhe ka shpallur projektuesit dhe kompanitë fituese. Në këto kushte, lind natyrshëm pyetja nëse një zyrtare që ka ndjekur të gjithë procesin mund të shmangë përgjegjësinë, kur vepra rezulton një dështim i plotë.

Në vend të një verifikimi të thelluar mbi punimet, reagimi institucional është fokusuar vetëm te evidentimi i banesave të dëmtuara, pa asnjë reflektim mbi shkaqet reale të përmbytjeve.

Sipas të dhënave, fituese e kontratës ka qenë një bashkim operatorësh ekonomikë, i përbërë nga tre kompani. Firma e parë është “Adriatik” shpk, në pronësi të Petrit Kovaçit dhe Ardian Mustafarajt. Kovaçi është babai i ish-drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, Spartak Kovaçi, çka ngre dyshime serioze për konflikt interesi, pasi kompania merret pikërisht me projekte ujësjellësi dhe vepra hidrike.

Firma e dytë, “Vëllezërit Hysa”, ka pasur probleme të mëparshme me ligjin. Aktualisht, aksionet zotërohen nga Flutura Hysa (40%), Kujtim Hysa (30%) dhe Besnik Hysa (30%). Pavarësisht historikut problematik, kompania është përfshirë sërish në një projekt madhor, që sot rezulton me pasoja të rënda.

Ndërsa firma e tretë është “2 T”, në pronësi të Artan Sakos dhe Dritan Troksit. Artan Sako është vëllai i ish-komandantit të Gardës së Republikës, Gramoz Sako, lidhje që shton edhe më shumë dyshimet për ndikime dhe favore në dhënien e kontratës.

Sipas kontratës, punimet duhej të përfundonin në fund të vitit 2022. Në realitet, ato u vonuan mbi dy vite, pa asnjë penalitet dhe pa asnjë kërkesë llogarie, as nga Bashkia e Durrësit dhe as nga institucione të tjera përgjegjëse.

Tre kompani me lidhje të forta politike, familjare apo me precedentë problematikë, një investim milionash që dështoi dhe qindra qytetarë të dëmtuar – por deri më tani, asnjë hetim dhe asnjë përgjegjësi penale.

Ndërkohë, kostoja e dëmshpërblimeve dhe pasojat e keqmenaxhimit pritet të rëndojnë sërish mbi qytetarët dhe taksapaguesit. Pyetja që mbetet pa përgjigje është e thjeshtë: a do të mbajë ndokush përgjegjësi për përmbytjen e Durrësit?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.