Skënder Hita me strategji të re për “blindimin” e akseve rrugore
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, i shoqëruar nga drejtues të Rendit dhe Sigurisë Publike, si dhe të Policisë Rrugore.
Gjatë kësaj vizite, ai u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, së bashku me stafin drejtues të qendrës. Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit institucional për përdorimin më efikas të teknologjisë në funksion të sigurisë rrugore.
Autoritetet theksuan se pamjet e kamerave ekzistuese, si dhe pajisjet e reja që pritet të instalohen, do të shërbejnë jo vetëm për identifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor, por edhe për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin e tyre në përputhje me ligjin.
Gjatë fjalës së tij, Hita u shpreh:
“Përdorimi i mjeteve bashkëkohore logjistike dhe i teknologjisë inteligjente, duke minimizuar kontaktin e drejtpërdrejtë të punonjësve të Policisë me përdoruesit e rrugës, do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, por edhe në forcimin e imazhit të vendit dhe të Policisë së Shtetit”.
Nga ana e tij, Kozeli vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe nënvizoi rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për përmirësimin e monitorimit të trafikut dhe rritjen e sigurisë në akset rrugore.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord për finalizimin e bashkëpunimit në shkëmbimin e pamjeve nga kamerat dhe për kalibrimin e radarëve në rrugë dhe tunele, në mënyrë që të dhënat e siguruara të përdoren nga Policia e Shtetit për verifikimin dhe ndëshkimin administrativ të shkeljeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



