Skënder Hita ka ndërmarrë lëvizjet e para në radhët e Policinë e Shtetit, duke nisur një proces riorganizimi në strukturat drejtuese, me fokus të veçantë në sektorin e qarkullimit rrugor në Tiranë.
Mësohet se një nga vendimet kryesore është largimi nga detyra i shefit të Komisariatit të Rrugores në Tiranë, Neritan Buzi, i cili është transferuar në Pukë. Deri më tani nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi arsyet e këtij transferimi apo funksionin që ai do të mbajë në detyrën e re.
Ndryshime janë bërë edhe në strukturat e trafikut në kryeqytet. Komandanti i trafikut në Tiranë, Joan Trungu, është transferuar dhe emëruar në krye të forcës së posaçme të njohur si “Shigjetat”, një strukturë operacionale që vepron në kuadër të Policisë së Shtetit.
Këto vendime mbajnë firmën e Skënder Hitës dhe sinjalizojnë nisjen e një faze të re riorganizimi brenda Policisë së Shtetit. Megjithatë, deri më tani nuk ka një njoftim të detajuar zyrtar mbi shtrirjen e plotë të këtyre ndryshimeve apo nëse priten lëvizje të tjera në nivele të ndryshme drejtuese në qarqet e vendit.
Ndryshimet vijnë në një moment kur pritet forcimi i strukturave operacionale dhe rishikimi i roleve drejtuese, veçanërisht në Tiranë, ku menaxhimi i trafikut dhe qarkullimit rrugor mbetet një nga sfidat kryesore.
Mbetet për t’u parë nëse këto lëvizje do të pasohen nga emërime të tjera dhe çfarë ndikimi konkret do të kenë në funksionimin e policisë, si në kryeqytet ashtu edhe në rrethe.







