E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skënder Hita thirrje efektivëve të rinj: Mos u tundoni nga krimi
Lajme

Skënder Hita thirrje efektivëve të rinj: Mos u tundoni nga krimi

rejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka përcjellë një mesazh të fortë për 389 efektivët e rinj që përfunduan me sukses Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë.

Gjatë ceremonisë së certifikimit, Hita u kërkoi efektivëve që në ushtrimin e detyrës të udhëhiqen gjithmonë nga ligji, shërbimi ndaj qytetarëve dhe përgjegjësia që buron nga uniforma e Policisë së Shtetit.

Në fjalën e tij, ai i paralajmëroi të rinjtë për rrezikun e korrupsionit, arrogancës dhe tundimit për të bashkëpunuar me persona të përfshirë në krim. Sipas tij, asnjë përfitim personal nuk mund të justifikojë dëmtimin e integritetit të një efektivi apo humbjen e besimit të qytetarëve.

Hita theksoi se brezi i ri i policëve duhet të sjellë energji dhe një mentalitet të ri në institucion, duke ruajtur standardet e ligjshmërisë, korrektësisë dhe paanshmërisë në çdo situatë.

“Mos u tundoni nga ofertat e propozimet për të bashkëpunuar me krimin, sepse kjo rrugë mund t’ju duket e shkurtër, por pasojat e saj janë të rënda dhe pa kthim. Mos shkëmbeni kurrë uniformën, imazhin e Policisë, dinjitetin dhe të ardhmen tuaj me një përfitim të momentit. Asnjë përfitim nuk vlen më shumë se uniforma që mbani veshur dhe besimi që qytetarët kanë te ju”, deklaroi ai.

Tri parimet që duhet të udhëheqin efektivët

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, rruga profesionale e efektivëve të rinj duhet të mbështetet mbi tri pika themelore: zbatimin e ligjit, shërbimin ndaj qytetarëve dhe respektimin e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

Hita u kërkoi efektivëve të mos i humbin këto orientime përballë vështirësive apo tundimeve që mund të hasin gjatë karrierës.

Ai theksoi se policët do të jenë ndër të parët që do të përballen çdo ditë me qytetarët në të gjithë vendin, në një detyrë që kërkon reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.

“Shërbejuni qytetarëve me përulësi, ndërsa atyre që shkelin ligjin, me forcën e ligjit”, ishte një tjetër prej mesazheve të tij.

“Arroganca është fundi i rrugëtimit tuaj”

Një pjesë të veçantë të fjalës së tij, Hita ia kushtoi marrëdhënies së efektivëve me qytetarët.

Ai paralajmëroi se arroganca dhe sjellja e njëanshme mund të dëmtojnë jo vetëm karrierën e një polici, por edhe imazhin e të gjithë institucionit.

Sipas tij, qytetarët që respektojnë ligjin duhet të trajtohen me korrektësi dhe respekt, ndërsa çdo kërkesë apo shqetësim duhet të marrë përgjigje në përputhje me procedurat dhe kuadrin ligjor.

“Detyra jonë është t’i dëgjojmë, të zbatojmë procedurat e punës dhe t’i japim qytetarit përgjigjen që na kërkon ligji”, u shpreh Hita.

Ai nënvizoi se besimi i publikut përbën një nga asetet më të rëndësishme të Policisë së Shtetit dhe se pa këtë besim, institucioni e ka të vështirë të përmbushë misionin e tij.

Mesazhi për karrierën dhe integritetin

Në përfundim të fjalës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u kërkoi efektivëve të rinj të punojnë me përgjegjësi, të respektojnë kolegët dhe të besojnë te puna e ndershme si rruga për ndërtimin e një karriere profesionale.

Hita i siguroi gjithashtu se do të jetë i hapur për shqetësimet e tyre dhe për çështjet që lidhen me përmirësimin e punës së Policisë së Shtetit.

Ai i cilësoi burimet njerëzore si pasurinë më të madhe të institucionit dhe u kërkoi 389 efektivëve të rinj ta mbajnë me dinjitet uniformën dhe të qëndrojnë pranë qytetarëve.

Me përfundimin e Kolegjit Profesional të Formimit Policor, 389 kursantët tashmë i bashkohen strukturave të Policisë së Shtetit, duke nisur detyrën e tyre në terren.

Deklarata e plotë 

“Sot është një ditë e mirë për Policinë dhe për qytetarët. Qindra djem dhe vajza, pas përfundimit me sukses të Kolegjit, i bashkohen familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit, dhe dalin në terren, në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të ligjit. Ju falënderoj për zgjedhjen tuaj për t’u bërë pjesë e stafit tonë, për disiplinën, për rezultatet e arritura në teori dhe në praktikë, si dhe për vullnetin dhe vendosmërinë tuaj që ju çoi në fund të këtij rrugëtimi fillestar, por të përgatitur për të nisur një rrugë të gjatë dhe plot sfida në përmbushje të misionit tonë të shenjtë.    Shqipëria, qytetarët dhe Policia kanë nevojë për ju, për energjitë dhe mentalitetin e ri evropian, ndaj për qytetarët sot është një lajm shumë i mirë që ju sot certifikoheni.

Përtej emocioneve tuaja të arsyeshme dhe shpresës sonë se ju do të jepni më të mirën nga vetja në funksion të së mirës së përgjithshme dhe krahas urimit për certifikimin tuaj, ku ju bëheni pjesë e familjes së madhe, kam disa porosi që besoj se do t’i keni parësore në përditshmërinë e punës suaj.  Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime. Në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit njëherazi Dëshmorë të Atdheut.

Këto tri drejtime mos i ndryshoni kurrë përballë çdo sfide e tundimi, sepse po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin dhe rruga më pas është plot dritëhije ndoshta dhe në errësirë.  Ju jeni të parët që do të merrni kontakt me qytetarët në çdo cep të vendit ku do të shërbeni, jeni në terren 24/7, për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë dhe për t’ju dhënë ndihmë qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve nga e mbarë bota. Shërbejuni qytetarëve me përulësi ndërsa atyre që shkelin ligjin, me forcën e ligjit. Reagoni me guxim, korrektësi e paanshmëri dhe brenda kornizës ligjore përballë çdo padrejtësie e paligjshmërie.

Vrulli rinor që ju keni t’ju shërbejë për të mirën e përgjithshme, për përmirësimin e mëtejshëm të performancës së Policisë së Shtetit dhe në funksion të ligjit.  Dhe mos harroni se arroganca është fundi i rrugëtimit tuaj. Përballë çdo situate qofshi, kurrë mos u tregoni arrogantë me qytetarët që duan dhe zbatojnë ligjin.  Detyra jonë është t’i dëgjojmë, të zbatojmë procedurat e punës dhe t’i japim qytetarit përgjigjen që na kërkon ligji, dhe jo të krijojmë në sytë e tij bindjen se jemi të njëanshëm, arrogantë apo të pazotë.

Kurrë mos ia bëni këtë të keqe Policisë së Shtetit, e cila pa besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, nuk e përmbush dot si duhet misionin e saj. Mos u tundoni nga ofertat e propozimet për të bashkëpunuar me krimin, sepse kjo rrugë mund t’ju duket e shkurtër, por pasojat e saj janë të rënda dhe pa kthim. Mos shkëmbeni kurrë uniformën, imazhin e Policisë, dinjitetin, dhe të ardhmen tuaj me një përfitim të momentit. Asnjë përfitim nuk vlen më shumë se uniforma që mbani veshur dhe besimi që qytetarët kanë te ju.

Bëjeni punën me dëshirë e përgjegjshmëri, respektoni njëri-tjetrin, sepse puna bëhet në grup, dhe besoni se me punën tuaj të ndershme do të bëni karrierë. Pse jo, në të ardhmen, njëri apo njëra prej jush do mbajë fjalim, do të këshillojë dhe do të frymëzojë brezat që do vijnë në Policinë e Shtetit.  Ju falënderoj që arritët këtu dhe do t’ju jem mirënjohës çdo ditë, në rast se secili prej jush do të zbatojë ligjin dhe do të respektojë qytetarët, sikundër do të qëndroj fort ndaj atyre që do të devijojnë nga ligjshmëria dhe etika.

Sot ju mirëpres në familjen e madhe të Policisë së Shtetit dhe ju uroj që këtë ditë ta kujtoni gjithmonë si ditën kur nisët një mision të madh.  Më keni në krah dhe mos nguroni të më shkruani e të shprehni çdo shqetësim që lidhet me përmirësimin e punës, por edhe për problemet tuaja, pasi për mua pasuria më e madhe e Policisë së Shtetit jeni ju, janë burimet njerëzore.   Mbajeni me dinjitet këtë uniformë të shenjtë të sigurisë dhe shërbimit ndaj Republikës dhe qytetarëve.  Shërbeni me përkushtim, veproni në bazë të ligjit dhe qëndroni pranë qytetarëve.  Suksese e mbarësi paçi në detyrën e re dhe në familjet tuaja!”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.