Skerdi Dafa i shtyn afatin firmës së ish-deputetit që mori 2.3 miliardë lekë

Pse zvarriten punimet tek FSHS

Skerdi Dafa, administratori i UT e bën shtesën e katit në Fakultetin e Shkencave Sociale të duket sikur të ishte ndërtimi i ndonjë piramide egjiptiane. Për shkak të pazareve me ish-deputetin Ndue Shpani, tashmë biznesmen, punimet shtyhen edhe 6 muaj të tjera.

Megjithëse shteti ka hedhur mbi 2.3 miliardë lekë, kontrata është lidhur qysh në vitin 2022, leja e ndërtimit ka dalë qysh në gusht 2023, punimet nuk kanë mbaruar.

Kompania Ndue Shpanit ka kryer vetëm 33% të volumit të punimeve kur ato duhet t’i dorëzojë, sipas kontratës, në qershor 2025.

Pse u zvarrit projekti?

Dokumenti më poshtë është leja e ndërtimit e firmosur nga vetë Edi Rama.

Leja e ndërtimit është e datës 1 gusht 2023. Ndërsa kontrata e projektimit dhe zbatimit të punimeve për shtesën e katit është firmosur nga Universiteti me kompaninë private më 11 shkurt 2022.

Kur pritej që auditorët e rinj të dorëzoheshin, zbulohet se administratori i UT, Skerdi Dafa ka rënë dakord me ndërtuesin dhe mbikëqyrësin e punimeve që të ndryshojë afatin e kontratës.

Modifikimi i kontratës: Vonohet 6 muaj dorëzimi i objektit!

Njoftimi mbi zgjatjen e afatit të kontratës së ndërtimit të shtesës në Fakultetin e Shkencave Sociale është bërë në Buletinin e Prokurimeve Publike më 22 prill 2025, pas një e-maili të dërguar nga administratori Skerdi Dafa. Ndërsa nënshkrimi i modifikimit është bërë më 20 mars 2025.

Bëhet fjalë për modifikimin e kontratës gjatës zbatimit të procedurës së prokurimit me numër REF-16361-12-24-2021. Objekti i kontratës është “Rikonstruksion dhe shtesë kati në godinën e Fakultetit të Shkencave Sociale”. Me ndryshimin e bërë dorëzimi i objektit shtyhet me 6 muaj.

Fondi limit i caktuar nga Universiteti fillimisht ishte 210.040.643,81lekë, por me përllogaritjen e TVSH, vlera e kontratës ka shkuar në 233,940,720 lekë.

Kontratën fillestare nr.prot.1955/11, datë 11 shkurt 2022 është lidhur ndërmjet Autoritetit Kontraktor “Universitetit të Tiranës” dhe BOE “ULZA” shpk & “GJEOKONSULT & CO” shpk. Kjo e dyta është kompani mbështetëse, që merret me projektime dhe mbikëqyrje.

Kompania “ULZA”, më parë me emrin “Ulëza Ndërtim” është në pronësi të dy vëllezërve Shpani, njëri ish-deputet i Partisë Demokratike dhe tjetri i kërkuar dikur nga Policia për mashtrim me rimbursimin me TVSh.

Nikolin Shpani rezulton se në vitin 2019 ka qenë mes dhjetëra biznesmenëve që janë arrestuar e shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës, pas zbulimit të një skeme të madhe mashtrimi për rimbursimin e TVSH. Kompani që kishin tjetër fushë aktiviteti dhe prisnin fatura për produkte e shërbime që as i ofronin.

Duke rimbursuar fatura false, Nikolin Shpani arriti të fitonte 90 milionë lekë nga rimbursimi i TVSH, duke i shkaktuar dëm direkt buxhetit të shtetit.

Fajin për vonesën e paskan studentët dhe pedagogët?!

Universiteti, sipas Dafës, është në kushtet që kontrata publike mund të modifikohet pa zhvilluar një procedurë të re prokurimi, për kryerjen e punëve të përcaktuara në kontratën tonë, që është ende në zbatim nga kontraktori, për zgjatjen e afatit të punimeve, i cili është bërë i domosdoshëm dhe nuk ishte parashikuar në kontratën fillestare. Qysh pa nisur rikontruksioni, Dafa është njoftuar për problemin. Në datën 4 maj 2024 është dërguar një informacion me lëndën: “Mbi situatën që krijohet në FSHS nga ndërtimi i katit shtesë, problemet që dalin dhe pasojat e tyre në zhvillimin normal të procesit mësimor”, nga ana e dekanatit të fakultetit të FSHS është kërkuar moscenimi i procesit mësimor dhe shfrytëzimi i hapësirave të brendshme të fakultetit, ndërkohë që objekti do t’i nënshtrohet ndërtimit të katit shtesë.

Megjithëse problemi është i hershëm, administratori Dafa u kujtua tani të bëjë ndryshimin e kontratës. Mbikëqyrësi i punimeve e paska njoftuar Dafën qysh më 8 janar 2025. Gjithashtu, me shkresën nr.1137/1, datë 30.12.2024 “Dërgim informacioni”, fakulteti e ka informuar Dafën se për shkak të shfrytëzimit të ambienteve për vazhdimësinë e mësimdhënies, punimet janë kryer në kushte të kufizuara dhe me një ritëm të ndryshuar, duke respektuar masat e sigurisë për studentët, stafin akademik dhe administrativ. Dhe së fundmi, më 8 janar 2025, Mbikëqyrësi i Punimeve, për përfundimin me sukses të kontratës fillestare, ka kërkuar zgjatjen e afatit për përfundimin e këtyre punimeve, duke shfrytëzuar periudhën e pushimeve verore të vitit 2025, në të cilën ndërpritet mësimdhënia dhe nuk ka fluks studentësh. Rrjedhimisht, ndryshimi i afatit të zbatimit të kontratës deri më 18.12.2025, vjen pasi kjo punë nuk mund të realizohet në afatin e parashikuar në kontratë, për shkak të pranisë së trupës pedagogjike dhe studentore për zhvillimin e programit akademik 2024-2025, si dhe këto modifikime nuk e ndryshojnë natyrën e kontratës tonë të sipërcituar, pasi objekti dhe vlera nuk ndryshon.

“Gjithçka e mbështetur në ligj”

Në këtë veprim të Universitetit bie në sy mashtrimi, sikur gjithçka është në përputhje me ligjin. “Situata sipas parashikimeve të nenit 127 të LPP dhe argumentet përkatëse për ta përdorur atë: Modifikimi mbështetet në nenin 122 e në vijim, në nenin 127, pika 1/c) të Ligjit nr.162, date 23.12.2020 “Për prokurimin publik”, citojmë shkresën e Skerdi Dafës.

Së pari, nuk ka një analizë, përse  kompania qysh nga viti 2022 e deri më sot ka kryer vetëm 33.5% të volumit të punës.

Së dyti, ligji të lejon ta ndryshosh kontratën pa shpallur tender të ri, kur ekzistojnë kushtet. Neni 122 i LPP thotë shprehimisht se kjo ndodhe vetëm “me përjashtim të rasteve kur kontraktori, për arsye objektive dhe të pavarura prej tij në kohën e ofertimit ofron, me të njëjtin çmim, kushte më të mira se ato të tenderuara”.

Edhe kompania ULZA, edhe universiteti e dinin shumë mirë se në universitet zhvillohet mësim ditën. Pra, nuk ka asnjë rrethanë të paparashikueshme. Kompania mund të punonte me intensitet gjatë natës, në fundjave,  dhe gjatë pushimeve të studentëve.

Referuar nenit tjetër 127 pika 1/C, ligji përcakton: “kur modifikimi është bërë i nevojshëm për shkak të rrethanave të paparashikueshme nga autoriteti kontraktor dhe që nuk ndryshojnë në thelb natyrën e kontratës publike apo të marrëveshjes kuadër”. Sërish kërkohet rrethana e paparashikueshme. Nga ana tjetër, afati është një nga kushtet kryesore të kontratës, i cili duhet përmbushur, ndryshe hyjnë në fuqi penalitetet.

Kompania e mbingarkuar me miliona euro tendera!

Situata e krijuar është pasojë e korrupsionit me tenderat, ku kompania e ish-deputetit është e favorizuar dhe merr shumë kontrata njëherësh. Asnjë komision tenderash, përfshirë edhe të Universitetit të Tiranës, nuk ka vlerësuar kapacitetin e firmës për të kryer kontratën me sukses. Konkretisht, kompania në kohën që ka marrë kontratën, dhe më pas gjatë zbatimit të saj, ka qenë e angazhuar në tendera të tjerë, prandaj nuk është fokusuar tek FSHS.

Konkretisht, më më 6 qershor 2022, ka firmosur kontratën 9-mujore “Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare Milot dhe shkollës së Mesme Milot, Bashkia Kurbin, në kuadër të procesit të rindërtimit (Programi i Rindertimit) me fond limit 263 570 797,00 lekë pa TVSH ku duhej të punësonte 26 persona dhe të kishte në dispozicion mjetet e duhura; Më 28 qershor 2022, “Ulza” ka përfituar nga bashkia Lezhë, tenderin “Rikonstruksioni i Çerdhes se qytetit Lezhe” me fond limit 24 999 965,00 lekë pa TVSH; Nga bashkia Durrës, më 4 korrik 2022, ka marrë përsipër kontratën me objekt “Riforcimi pallateve me kod gis: 25759, 25583, 22842, 22243, 22248, 22866, 24812, 22707, 25248, 22721, 24821, 22245, 22299”. (Programi i Rindertimit), ku përfitonte fondin 428 636 839,00 lekë. Në punimet që duhet t’i kryente për 224 ditë, duhet të angazhonte 194 punonjës dhe mjetet e nevojshme!

Më 10 tetor 2022, “Ulza” ka përfituar nga bashkia Dimal kontratën “Rikualifikimi urban Lagja 4 Shtatori” me vlerë 64 143 531,00lekë pa TVSH. Nga e njëjta bashki, më 17 tetor 2022, është marrë tenderi “Mbrojtje lumore në zonën e Dafinave, Bashkia Dimal”.

Më 14 tetor 2022, “Ulza” u shpërblye me tenderin “Sistemimi dhe asfaltimi i rrugëve rurale dhe urbane ne territorin e Bashkisë Lezhë” me fond limit 250 814 497,00 lekë pa TVSH. Punën duhej ta mbarojë në tetor 2025. Operatori duhet të ketë në dispozicion 60 punonjës!

Më 14 tetor 2022 nga bashkia Mat i është dhënë kontrata “Rikonstruksion shkolla 9-vjeçare “Mustafa Gjestila”, Burrel” me vlerë 100 192 722,00 Lekë pa TVSH.  Për 9 muaj duhej dorëzuar objekti. “Ulza” duhej të angazhonte jo më pak se 100 punonjës. Në cilin objekt do t’i çonte më parë punonjësit kjo kompani, kur stafin e deklaruar publikisht e ka nga 50 deri në 200 punonjës?

Vazhdojmë, sepse kalendari i tenderave të Ndue Shpanit është i ngjyrosur në çdo javë. Më 19 dhjetor 2022, firmoste kontratën për “Rikonstruksion i Urgjencës se Spitalit Rajonal Vlorë”, me fond limit 29 054 225,00lekë pa TVSH.

Nga bashkia Mirditë, më 4 tetor 2022, Shpani ka marrë 378 646 408,00 lekë për tenderin me objekt “Punime Rindërtimi në “Rikonstruksion dhe riparim të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallate), ne qytetin Rrëshen dhe Rubik (Faza 2)” (Programi i Rindërtimit). Që puna të mbaronte në fatin 16 muaj, sipas kontratës, duhej të angazhoheshin minimalisht 85 punonjës.

Më 9 dhjetor 2022, nga Bashkia Mirditë, kompania ‘Ulza” ka marrë tenderin me objek    “Rikonstruksion dhe riparim të mjediseve në bashkëpronesi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallate), në qytetin Rrëshen dhe Rubik (faza 3), Bashkia Mirditë (Programi i Rindërtimit), me fondin limit 192 851 638,00lekë pa TVSH. Që të përmbushej puna në afatin 15 muaj duhej të merrnin pjesë 56 punonjës.

Më 24 shkurt 2023, nga bashkia Mat i është dhënë kontrata “Rikonstruksion rruga Qamil Xhika’ me fond limit 19 971 512,00 lekë.

Më 4 tetor 2023, Bashkia Mat i ka lidhur kontratën firmës “Ulza” me objekt “Rikonstruksion i plotë i shkollës së mesme “Pjetër Budi” + terrene sportive”, me vlerë 79 060 800,00 lekë. Në këtë objekt duhet të ishin të disponuar 85 punonjës.

Më 23 tetor 2023, ka firmosur kontratën “Mirëmbajtje e thellë në terrenet e jashtme sportive” me Erion Veliajn në Tiranë me fond 19 722 708,00 lekë, ku angazhohej të kishte 75 punonjës dhe mjetet e nevojshme.

Më 28 qershor 2024, nga bashkia Mat, sikur të mos kishte Shqipëria kompani të tjera, i jep firmës “Ulza” kontratën “Rikonstruksion shkolla 9- vjeçare “Ali Metra”, Komsi dhe sistemi i ngrohjes + ndërtim palestre” me vlerë 97 321 817,00 lekë pa TVSH. Numri i punonjësve që duhet të angazhojë kompania është 85, po ashtu një listë e gjatë me mjete.

Më 28 gusht 2024, nga bashkia Klos, “Ulza” ka marrë tenderin “Rikonstruksion i Shkollës 9-vjeçare “Gurrë e Madhe” Gurrë, Bashkia Klos” me vlerë 47 825 664,00 lekë. Për rindërtimin e shkollës, vëllezërit Shpani kanë firmosur se do të kenë në dispozicion 65 punonjës!

Më 31 dhjetor 2024, kur bëheshin shkresat që të shtyhej afati i punimeve të Fakultetit të Shkencave Sociale, kjo kompani ka marrë përsipër me kontratën publike objektin “Ndërtim shkolla 9-vjeçare Vadardh, Sukth (Programi i Rindërtimit). Në këtë punë publike kushti është që të ketë në dispozicion 84 punonjës! Vlera e kontratës është 268,788,521 lekë të reja.

Më 23 dhjetor 2024 (kur Dafa i bënte nderin Shpanit për shtyrje afati), Erion Veliaj i firmosi vëllezërve Shpani kontratën “Ndërtimi i ambienteve të shërbimeve brenda zonës “Teda”, Tiranë”. Kontrata me fond limit  961 724 174,00 lekë pa TVSH duhet të përfundojë për 18 muaj. Në këtë kontratë, Kompania Ulza angazhohet të vërë në dispozicion 130 punonjës dhe mjetet e kërkuara.

Më 17 janar 2025, kur Dafa bënte shkresat për shtyrje afati, kompani merrte tenderin nga bashkia Vlorë me objekt “Rikonstruksioni i rrugës Ish-Fabrika e Çimentos (segmenti i I-rë)” me fond limit 113 224 277,00 lekë pa TVSH. Sipas dokumenteve kompania duhet të disponojë jo më pak se 54 punonjës plus mjetet e nevojshme.

Këtë analizë të kapacitetit të mbingarkuar të kësaj kompanie duhet ta bënte administratori Dafa, në vend që t’i futej shkresave me vartësit e tij, që të justifikojë zvarritjen e punës për riskontruksionin e FSHS. Po ashtu, këto të dhëna mund t’i shërbejnë si indicie KLSH-së dhe SPAK-ut.

Publikuar nga Publik Media