Sondazhi/ Kur shifrat flasin për dëshpërim: Realiteti i trishtë i tregut të punës në Shqipëri

Punonjës të pakënaqur, kosto e papërballueshme jetese, plane për emigrim

Naim Noka

Një sondazh i fundit nga revista  “Monitor” ka zbuluar një të vërtetë të hidhur për tregun e punës në Shqipëri. Ndonëse 95% e të anketuarve ishin me arsim të lartë, rezultatet tregojnë një tablo dëshpëruese: pagat janë të pamjaftueshme, kushtet e punës janë të mjerueshme dhe meritokracia është një term pothuajse i panjohur.

Më shumë se një e katërta e të anketuarve (27.4%) janë të pakënaqur me pagat e tyre, ndërsa vetëm një përqindje e vogël, 7.3%, janë shumë të kënaqur. Në një treg pune ku pothuajse gjysma e punonjësve nuk marrin asnjë përfitim shtesë përveç pagës bazë, ky nivel pakënaqësie nuk është aspak befasues.

Kodi i Punës: Një ligj në letër

Një nga shqetësimet më të mëdha të punonjësve është shkelja sistematike e Kodit të Punës. Punëdhënësit, veçanërisht në sektorin privat, nuk ndjekin detyrimet ligjore për rritjen e pagave në përputhje me inflacionin. Në një ekonomi ku çmimet e ushqimeve, qirave dhe produkteve bazë janë rritur me ritme marramendëse, mungesa e indeksimit të pagave është një fyerje për dinjitetin e punonjësve.

Një ekspert IT deklaron se me një pagë prej 60 mijë lekësh, është e pamundur të sigurosh një standard jetese normal. Një tjetër, i punësuar në media, komenton se pagat shqiptare janë “të pamjaftueshme për të blerë edhe gjërat më bazike”. Nëse profesionistë të tillë janë në këtë gjendje, si mund të imagjinohet realiteti i atyre me paga minimale?

Nepotizëm dhe mungesë meritokracie

Meritokracia është një term bosh në tregun shqiptar të punës. Analfabetët funksionalë, por me lidhje partiake, avancojnë më shpejt se të arsimuarit dhe profesionistët. Sondazhi zbuloi një mungesë të thellë të mundësive për zhvillim profesional dhe stabilitet pune.

Punonjësit në administratën publike janë të lodhur duke parë “militantë partie” në pozita drejtuese, ndërkohë që të diplomuarit me përvojë dhe aftësi nuk gjejnë hapësira për avancim. Ky sistem ka nxitur një valë largimesh, veçanërisht midis të rinjve të cilët, të zhgënjyer nga mungesa e perspektivës, po i drejtohen vendeve të huaja për një jetë më të mirë.

Kostoja e jetesës dhe realiteti i hidhur ekonomik

Në një ekonomi ku kostoja e jetesës është afër niveleve evropiane, pagat shqiptare mbeten në nivele të papërballueshme. Me 40% të të ardhurave që shpenzohen për ushqime dhe pjesa tjetër për qira, energji dhe ujë, të punësuarit kanë pak ose aspak mundësi për kursime apo investime për të ardhmen.

Një profesionist me pagë 900 euro në muaj komenton se 380 euro shkojnë vetëm për qira. Në këtë gjendje, është e qartë se rroga nuk është sinonim i mirëqenies në Shqipëri. Për shumë familje, fëmijët dhe prindërit e moshuar përbëjnë një barrë të shtuar, duke bërë që të ardhurat mujore të jenë larg mjaftueshmërisë.

Rruga përpara: Reforma, jo propagandë

Rezultatet e sondazhit janë një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë dhe politikave të saj të dështura ekonomike. Pa investime serioze në sektorët produktivë dhe një reformë të thellë në tregun e punës, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend ku shumica punojnë thjesht për të mbijetuar.

Rritja e pagave, përmirësimi i kushteve të punës dhe zbatimi i meritokracisë nuk janë më opsione; ato janë domosdoshmëri për të frenuar valën e largimeve dhe për të ndalur një krizë të thellë ekonomike dhe sociale.

Të dhënat e këtij sondazhi duhet të jenë një thirrje për zgjim për klasën politike dhe punëdhënësit. Nëse nuk ndërmerren hapa konkretë tani, humbja e një brezi të tërë profesionistësh do të jetë e pashmangshme.

Publikuar nga Publik Media