Sot protesta e PD-së, rrugët ku do të kufizohet qarkullimi rrugor
Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit që pritet të zhvillohet sot në orën 18:00 përpara Kryeministrisë.
Në zbatim të ligjit për tubimet, autoritetet kanë vendosur kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit do të bllokohet Bulevardi Dëshmorët e Kombit, në segmentin nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën Rruga Ismail Qemali.
Ndërkohë, duke nisur nga ora 15:00, kufizime do të ketë edhe në Rrugën Ukraina e Lirë, Rrugën Papa Gjon Pali II dhe sërish në Rrugën Ismail Qemali. Policia bën me dije se, në varësi të ecurisë së tubimit, mund të vendosen kufizime edhe në rrugë të tjera.
Për të shmangur trafikun dhe bllokimet, është parashikuar devijimi i qarkullimit në rrugë alternative, ndërsa qytetarëve u kërkohet mirëkuptim për këto masa të përkohshme.
Gjithashtu, Policia e Shtetit apelon që pjesëmarrësit dhe qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancën dhe të shmangin çdo veprim që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike gjatë zhvillimit të tubimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



