Sot tubim kombëtar! Në Tiranë bashkohen pedagogë, mjekë, artistë dhe studentë
Dita e 12-të e protestës së studentëve: pedagogë, artistë dhe sindikata i bashkohen tubimit kombëtar para Kryeministrisë
Protesta e studentëve hyn sot në ditën e 12-të, ndërsa në kryeqytet vijojnë përgatitjet për tubimin kombëtar të paralajmëruar përpara Kryeministrisë. Studentëve u janë bashkuar në solidaritet pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, ndërsa pritet pjesëmarrje edhe nga studentët e qyteteve të tjera.
Dita nis në orën 10:00, kur pedagogët pritet të mblidhen pranë Universitetit Politeknik.
Në orën 11:00, përpara Kryeministrisë do të mblidhen anëtarët e Sindikatës së Pavarur të Artit, Kulturës dhe Medias së Shqipërisë. Përmes një thirrjeje publike, sindikata ka njoftuar se i bashkohet protestës kombëtare të 24 tetorit në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët, duke ftuar artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të marrin pjesë. Sipas njoftimit, pjesëmarrja lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit dhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.
Ndërkohë, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj që në orën 12:00 të dalin në mbështetje të protestës.
Bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë është paralajmëruar për orën 14:00.
Mobilizimi shtrihet edhe jashtë Tiranës. Studentët e rretheve, të cilët gjatë javës kanë protestuar në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre, pritet t’i bashkohen tubimit në kryeqytet. Grupet studentore të Tiranës janë në komunikim të vazhdueshëm me studentët e qyteteve të tjera për të koordinuar pjesëmarrjen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



