SPAK çon për gjykim 11 anëtarë të një rrjeti kriminal
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 11 persona, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte sasi të mëdha lëndësh narkotike nga vende të ndryshme drejt Finlandës.
Sipas SPAK, organizata kriminale, e drejtuar nga shtetas shqiptarë dhe me pjesëmarrjen e shtetasve të huaj, ka zhvilluar aktivitet të organizuar që prej vitit 2022, duke trafikuar kokainë, amfetaminë, kanabis, tableta ekstazi dhe lëndë të tjera narkotike, të cilat më pas shpërndaheshin në qytete të ndryshme të Finlandës, mes tyre Helsinki, Espoo, Vantaa, Turku, Malmi, Porvoo dhe Vuosaari.
Nga hetimet rezulton se grupi ka realizuar dhjetëra episode trafiku dhe shpërndarjeje droge. Vetëm në një prej rasteve janë dokumentuar 10 kilogramë kokainë, 50 kilogramë kanabis dhe 20 kilogramë amfetaminë të futura në treg gjatë muajit mars 2023.
Në episode të tjera janë evidentuar dhjetëra kilogramë kokainë dhe amfetaminë të trafikuara, ndërsa një tjetër skemë kriminale përfshinte dërgimin me postë të mbi 200 kilogramëve kanabis nga Spanja drejt Finlandës gjatë vitit 2024.
Sipas SPAK, karakteristikë e këtij rrjeti ishte bashkëpunimi mes disa grupeve të strukturuara kriminale, të cilat koordinonin furnizimin, transportin dhe shpërndarjen e drogës. Një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve janë arrestuar dhe dënuar më herët nga gjykatat finlandeze.
Për këtë procedim penal janë dërguar për gjykim:
- Besnik Spata;
- Ermelind Pupa (alias Ermelind Myzyri);
- Erind Agalliu (alias Erind Teneqexhiu);
- Geraldo Seferaj;
- Dorjan Luzaj;
- Kevin Qevani (alias Bojken Qevani);
- Toni Kota (alias Elton Tavani, alias Thoma Tavani, alias Toni Tavani);
- Eltion Myftari (alias Eltjon Miftari);
- Ledjon Hoxha;
- Altin Musta;
- Nikollaq Godo (alias Pavjol Gode), i akuzuar për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT), të krijuar mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze në nëntor të vitit 2023. Gjatë hetimit janë përdorur metoda speciale, si përgjime telefonike, regjistrime të fshehta audio-video dhe shkëmbim informacioni në kohë reale me Byronë Kombëtare të Finlandës.
Nga provat e administruara rezulton se rrjeti kriminal ka trafikuar në mënyrë të vazhdueshme sasi të mëdha droge, përfshirë dhjetëra kilogramë kokainë dhe amfetaminë, qindra kilogramë kanabis, si edhe mijëra tableta ekstazi dhe medikamente narkotike, të cilat shpërndaheshin në disa qytete të Finlandës përmes një rrjeti të organizuar shpërndarësish.
SPAK bën me dije se procedimi penal është ndarë nga çështja kryesore nr. 147 të vitit 2023 dhe se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal ndërkombëtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



