E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK dërgon për gjykim ish-prokurorin, avokatin dhe 2 biznesmenë
Lajme

SPAK dërgon për gjykim ish-prokurorin, avokatin dhe 2 biznesmenë

Akuzat për rryshfet dhe ndikim të paligjshëm

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe i ka paraqitur Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 73 të vitit 2024, që lidhet me akuza për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm në sistemin e drejtësisë.

Të pandehur në këtë çështje janë katër persona, mes tyre ish-drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, një avokat dhe dy biznesmenë.

Sipas SPAK, ish-prokurori Kledian Llaho akuzohet për “korrupsion pasiv të gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, gjithashtu në bashkëpunim.

Akuza të njëjta rëndojnë edhe ndaj shtetasit Vasil Bakalli, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në veprimet korruptive dhe në ndërhyrjet e paligjshme ndaj funksionarëve publikë.

Ndërkohë, Pando Papuçi akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë në dy episode të veçanta, ndërsa avokati Çlirim Shahini përballet me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj një gjyqtareje, me qëllim favorizimin e klientit të tij.

Nga hetimet ka rezultuar se kallëzuesi, shtetasi M.A., ishte subjekt i një procedimi penal për “shpërdorim detyre”, të ndjekur nga prokurori Kledian Llaho pranë Prokurorisë së Sarandës. SPAK ka dokumentuar se prokurori ka mbajtur një qëndrim të njëanshëm në hetimin e procedimit penal nr. 774/2021, për shkak të lidhjeve personale dhe familjare.

Sipas dosjes hetimore, familja e kallëzuesit kishte marrëdhënie qiraje me vjehrrin e prokurorit Llaho, i cili ishte pronar i një objekti hotelier. Kallëzuesi kishte pranuar detyrimin financiar ndaj qiramarrësve në vlerën 1.800.000 lekë, si pasojë e investimeve të kryera në objekt.

SPAK pretendon se, duke shfrytëzuar pozitën e tij si prokuror i çështjes, Kledian Llaho i ka kërkuar shtetasit M.A. që kjo shumë t’i kthehej vjehrrit të tij, përmes ndërmjetësimit të Vasil Bakallit, në këmbim të lehtësimit të pozitës procedurale të të hetuarit.

Po ashtu, nga hetimi rezulton se Pando Papuçi, i cili ishte gjithashtu nën hetim nga Prokuroria e Sarandës, ka dhënë një shumë prej 30 mijë eurosh, në formë rryshfeti, për Kledian Llahon dhe Vasil Bakallin, me synimin që këta të fundit të ushtronin ndikim të paligjshëm ndaj prokurores së çështjes, për të përmirësuar pozitat e tij ligjore.

Hetimet zbuluan gjithashtu se Papuçi i ka dhënë avokatit të tij, Çlirim Shahini, shumën prej 25 mijë eurosh, gjithashtu si rryshfet, me premtimin se ky i fundit do të ndërhynte në mënyrë të paligjshme pranë gjyqtares së çështjes.

Në përfundim të veprimeve hetimore, përfshirë përdorimin e metodave speciale të hetimit, Prokuroria e Posaçme thotë se ka arritur të provojë, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, kryerjen e veprave penale të dyshuara nga të pandehurit.

Procedimi penal nr. 73 u regjistrua në vitin 2024 për veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”. Më 6 janar 2025 u regjistrua zyrtarisht emri i Kledian Llahos si person nën hetim, ndërsa më 30 janar 2025 u regjistruan të dhënat e Pando Papuçit dhe Vasil Bakallit për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. Ndërkohë, më 17 tetor 2025 u regjistrua edhe emri i avokatit Çlirim Shahini për të njëjtën vepër penale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.