SPAK dërgon për gjykim tre ish-punonjës policie (EMRAT)
Dyshime për lidhje me grupe kriminale në trafikun e drogës me vlerë 1.7 mln euro
SPAK ka dërguar për gjykim tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët akuzohen për lidhje me grupe kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Në qendër të hetimeve janë Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj, emra që dolën edhe në përgjime të publikuara më herët, ku përmendeshin komunikime me eksponentë të botës së krimit.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë zbuluar ekzistencën e grupeve të strukturuara kriminale që kanë operuar në zonën e Sarandës dhe Tepelenë-Gjirokastër gjatë viteve 2019-2021, të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e cannabisit drejt Greqisë.
Në dosje përmendet edhe rasti i sekuestrimit të mbi 1 ton drogë në pikën kufitare të Qafë Botës në mars të vitit 2020. Bëhet fjalë për 1144.9 kilogramë cannabis sativa, mbi 4 kilogramë cannabis të përpunuar në formë çokollate dhe sasi vaji cannabis, me vlerë të përllogaritur rreth 1.7 milionë euro.
Sipas SPAK, grupet kriminale kishin krijuar lidhje të drejtpërdrejta me efektivë policie për të siguruar informacione, mbështetje dhe garanci për vijimin e aktivitetit të paligjshëm.
Erdit Hazizaj, i cili në atë periudhë mbante detyrën e specialistit në Sektorin e Hetimit në Mbulim në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, akuzohet se ndihmonte drejtuesit e grupit kriminal me informacione dhe këshilla të vazhdueshme për shmangien e goditjeve nga policia.
Ndërkohë, Shkëlzen Ruska, asokohe specialist në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, dyshohet se kishte krijuar lidhje me një tjetër grup kriminal që merrej me kultivimin e drogës në zonën Tepelenë-Gjirokastër. Hetimet kanë dokumentuar edhe zbulimin e 1360 bimëve narkotike në zonën mes Dukajt dhe Salarisë në tetor të vitit 2020.
Ish-efektivi Ervis Alisinaj akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa SPAK thotë se të tre ish-policët kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë dëmtuar rëndë funksionimin normal të strukturave policore dhe besimin e publikut te Policia e Shtetit.
Prokuroria thekson se lidhjet mes punonjësve të policisë dhe grupeve kriminale kanë ndikuar në mosgoditjen e aktivitetit të kundraligjshëm dhe kanë favorizuar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Megjithatë, SPAK sqaron se çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
NJOFTIMI I SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 169/1 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve: Erdit Hazizaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal;
“Grup i strukturuar kriminal”, e kryer në formën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal;
“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal;
“Shpërdorim i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Shkëlzen Ruska, i akuzuar për veprat penale:
“Kultivim i bimëve narkotike”, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284 paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal;
“Grup i strukturuar kriminal”, e kryer në formën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal;
“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal;
“Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Të pandehurit Ervis Alisinanaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:
“Shpërdorim i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Ky proçedim penal është ndarë nga çështja penale nr.169 e vitit 2022.
Nga hetimet e kryera rezulton se gjatë viteve 2019-2021, në zonën e Sarandës ka vepruar një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike. Drejtuesi dhe organizatorët e këtij grupi dyshohet se janë shtetasit nën hetim, K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A), Anëtarët e këtij grupi kishin detyra të përcaktuara për sigurimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.
Hetimet kanë dokumentuar rastin e trafikimit, më 7.3.2020 përmes pikës së kalimit kufitar në Qafë Botë, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro. Kjo sasi u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi.
Kur anëtarë të grupit arrestoheshin nga agjencitë e zbatimit të ligjit, anëtarët e tjerë interesoheshin për ndihmën ekonomike të personave të arrestuar dhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore. Sipas hetimeve, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kishin krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore me punonjës të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur vijimësinë e aktivitetit kriminal.
I tillë është rasti i Erdit Hazizaj, në atë kohë mbante detyrën e specialistit në Sektorin e Hetimit në Mbulim, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, i cili i ndihmonte drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për zhvillimin e aktivitetit të kundraligjshëm.
Gjatë viteve 2019-2021, në zonën Tepelenë-Gjirokastër, ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, nën drejtimin e shtetasit nën hetim, L.B (alias E.S), ndërsa pjesëtarët e grupit kishin detyra të ndara për kultivimin e bimës narkotike në zonën Tepelenë – Gjirokastër. Hetimet kanë dokumentuar rastin e datës 1.10.2020, në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari (Tepelenë), ku Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër zbuloi dhe sekuestroi 1360 bimë narkotike, me gjatësi 30-120 cm, në gjendje të njomë, me peshë totale 1280 kg. Sasia e bimëve narkotike ishte kultivuar nga ky grup kriminal.
Drejtuesi i tij kishte krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore edhe me punonjës në Policinë e Shtetit, në rastin konkret, me të pandehurin Shkëlzen Ruska, i cili asokohe mbante detyrën e specialistit në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar drejtuesin e grupit të strukturuar kriminal duke ofruar informacione dhe garanci për aktivitetin e kundraligjshëm.
Nga tërësia e provave të administruara rezulton se të pandehurit, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj, në vazhdimësi, gjatë vitit 2020, në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe funksionale, si punonjës të Policisë së Shtetit, kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e rregullt të strukturave policore, duke mos ndërmarrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve apo veprime të tjera të kundraligjshme.
Këto veprime, bazuar në hetimet e kryera, kanë sjellë pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit si dhe kanë cenuar besueshmërinë e Policisë së Shtetit përpara publikut dhe kanë dëmtuar ushtrimin e misionit të saj në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



