Hetime në Bashkinë e Tiranës për korrupsion dhe shpërdorim detyre
24 Maj 2025 | Redaksia | publik.al
Një ofensivë e heshtur, por intensive, po zhvillohet përgjatë muajit maj nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Burime konfidenciale i konfirmojnë publik.al se gjatë javëve të fundit janë sekuestruar mbi 100 telefona celularë në kuadër të disa hetimeve paralele që përfshijnë zyrtarë të lartë, persona të lidhur me krimin e organizuar dhe të dyshuar për krime zgjedhore.
Goditja më e ndjeshme është regjistruar në Bashkinë e Tiranës, ku me vendim të posaçëm gjykate, oficerët e BKH-së kanë zhvilluar kontrolle në disa sektorë strategjikë të administratës, përfshirë:
- Drejtoria e Punëve Publike
- Sektori i Pastrim-Gjelbërimit
- Zyrat e dy drejtuesve të lartë të bashkisë qendrore
Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar dokumentacione voluminoze dhe pesë telefona celularë, të cilët tashmë janë në proces hetimor përmes analizës së të dhënave dixhitale.
Burime pranë strukturave hetimore sqarojnë se kjo çështje nuk lidhet drejtpërdrejt me hetimin penal ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por ka të bëjë me një aferë të dyshuar të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit, që përfshin zyrtarë aktualë të administratës bashkiake dhe kompani të kontraktuara nga Bashkia e Tiranës për shërbime publike.
SPAK duket se po zgjeron orbitën e hetimeve, jo vetëm ndaj individëve të përfshirë në dosje të mëdha korruptive, por edhe drejt strukturave vendimmarrëse që, përmes tenderëve të fryrë, kontratave klienteliste dhe nënkontraktimeve të dyshimta, kanë zhvatur miliona euro nga buxheti i bashkisë.
Burime nga brenda strukturave hetimore theksojnë se analiza e celularëve pritet të zbulojë komunikime të rëndësishme që lidhen me:
- Ndikime politike në procedura tenderimi
- Koordinim për shpërndarje fondesh jashtë kritereve ligjore
- Bashkëpunim të mundshëm me grupe të strukturuara kriminale
- Dhe ndërhyrje në procese zgjedhore
Kjo është një prej ndërhyrjeve më të gjera teknike dhe administrative të BKH dhe SPAK gjatë muajve të fundit, që tregon se institucionet e drejtësisë po fokusohen jo vetëm tek “peshqit e mëdhenj” politikë, por edhe tek rrjeti i zyrtarëve të mesëm që administrojnë pushtetin vendor dhe kontratat publike.